Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e konsideron si gabim kërcënimin e presidentit amerikan, Donald Trump, me vendosjen e tarifave për vendet që nuk po e mbështesin lidhur me çështjen me Grenlandën.
Gjatë një vizite në Korenë e Jugut, Meloni u tha gazetarëve se nuk pajtohet me njoftimin e tarifave dhe e konsideron këtë vendim si një “gabim”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
“Parashikimi i një rritjeje të tarifave kundër atyre kombeve që kanë zgjedhur të kontribuojnë në sigurinë e Groenlandës është një gabim, dhe unë nuk pajtohem me të,” deklaroi ajo.
Kryeministrja italiane zbuloi se ka folur personalisht me Trump disa orë më parë dhe i ka shprehur pikëpamjet e saj mbi këtë çështje.
“Mendoj se ai ishte i interesuar të dëgjonte, por më duket se, nga pikëpamja amerikane, mesazhi që po vinte nga ana tjetër e Atlantikut nuk ishte i qartë,” shtoi Meloni.
Ajo nuk zbuloi reagimin e presidentit amerikan ndaj fjalëve të saj.
Megjithatë, Meloni sugjeroi se mund të ketë pasur një “problem mirëkuptimi dhe komunikimi” midis Evropës dhe SHBA-së lidhur me vendimin e disa shteteve evropiane për të vendosur një numër të kufizuar trupash në Grenlandë.
Kryeministrja theksoi se ky vendim nuk duhet interpretuar si një veprim “anti-amerikan” dhe se “dialogu duhet të rifillojë për të shmangur çdo përshkallëzim”.