Një ditë me rëndësi të veçantë për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë. Kryeministri Edi Rama mbërriti sot në Romë, ku u prit nga homologia e tij Giorgia Meloni, për të zhvilluar mbledhjen e parë ndërqeveritare mes dy vendeve.
Takimi po mbahet në Villa Pamphili, dhe drejtohet nga dy kryeministrat, në prani të 10 ministrave shqiptarë. Fokusi i samitit është bashkëpunimi në mbrojtje, industri dhe emigracion, ndërsa pritet nënshkrimi i 16 marrëveshjeve konkrete që do të thellojnë bashkëpunimin në fusha si siguria, energjia, ekonomia, arsimi profesional dhe mbrojtja civile, shkruan A2 CNN.
Sipas qeverisë italiane, samiti pritet të sjellë rezultate të prekshme në fushën ekonomike dhe energjetike, duke i dhënë një dinamikë të re marrëdhënieve dypalëshe që datojnë nga Traktati i Miqësisë i vitit 1995 dhe Deklarata e Partneritetit Strategjik e vitit 2010.
Italia pritet të riafirmojë mbështetjen e saj të fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar Tiranën një aleat të qëndrueshëm për stabilitetin e Ballkanit dhe Mesdheut.
Marrëveshjet që pritet të firmosen
Në kuadër të mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, do të zhvillohet edhe ceremonia e shkëmbimit të marrëveshjeve dypalëshe dhe memorandumeve të mirëkuptimit, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë fushash strategjike, si:
-Bashkëpunimi strategjik G2G në fushat e shëndetësisë, energjisë, mjedisit, sigurisë, arsimit dhe inovacionit;
-Siguria kibernetike, përmes një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet ministrive të jashtme;
-Mbrojtja civile, me disa marrëveshje për grante dhe hua të buta, mbështetje në pajisje dhe trajnim, si dhe një deklaratë të përbashkët mbi koordinimin institucional;
-Shëndetësia, me projekte për përmirësimin e kujdesit neonatal dhe maternal;
-Mbrojtja dhe bashkëpunimi ushtarak, përfshirë transferimin e mjeteve detare dhe marrëveshje mes kompanive “Leonardo”, “Fincantieri” dhe partnerëve shqiptarë;
-Lufta kundër trafikut të drogës, që përfshin një Memorandum mirëkuptimi të nënshkruar mes Institucioneve të punëve të brendshme respektive
-Zhvillimi ekonomik, përmes instrumenteve të “Cassa Depositi e Prestiti”, “SIMEST” dhe “AIDA”, në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare;
-Kultura dhe kreativiteti, me një marrëveshje bashkëpunimi midis Fondacionit MAXXI dhe institucioneve shqiptare të artit.
Në total 16 marrëveshje dhe memorandume do të shkëmbehen gjatë ceremonisë zyrtare të kësaj mbledhjeje të nivelit të lartë.
Ky format bashkëpunimi ndërqeveritar G2G përbën një risi në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe konfirmon angazhimin e përbashkët për forcimin e partneritetit strategjik dhe afrimin e mëtejshëm europian të Shqipërisë./A2CNN