Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po merr pjesë në takimin dhe bashkëbisedimin me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të medieve lokale, në Kuvendin Komunal në Mitrovicë të Veriut.
Krasniqi është shprehur se ashtu siç thuhet në planin e BE-së, ura e Ibrit do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovë.
Po ashtu, ai theksoi se është absurde që ura të mbahet e mbylluar, pasi ajo duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe se hapja e saj nuk do të jetë kundër askujt.
“Ritheksoj siç thuhet edhe në planin e BE-së, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovë. Në atë plan thuhet se rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve të të gjithë qytetarëve të veriut dhe jugut, do të kontribuojë në shkëmbim dhe mirëkuptim. Jo vetëm që nuk ka arsye, por tashmë është absurde vazhdimi i mbajtjes së urës mbyllur. Edhe kjo urë duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Hapja e saj nuk do të jetë kundër askujt, jemi të bindur që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk rrezikon paqen dhe sigurinë”, ka thënë Krasniqi.