Ministri Osmani: Të miratohen ndryshimet kushtetuese, janë kusht për integrim në BE

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se ndryshimet kushtetuese janë kusht për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.





Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u ka bërë thirrje partive politike që të miratojnë ndryshimet kushtetuese të cilat janë kusht për integrim në Bashkimin Evropian.

Maqedonia e Veriut, më 19 korrik, formalisht ka nisur bisedimet me Bashkimin Evropian, por bisedimet thelbësore për kapitujt nuk do të fillojnë pa ndryshimin e Kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në të.

“Tema e ndryshimeve kushtetuese duhet të hapet sa më shpejt në Kuvend. Partitë politike duhet që të arrijnë një konsensus për çështjet evropiane dhe të arrijnë një marrëveshje që kushdo qoftë në pushtet, të mos ketë dallime për këtë çështje”, deklaroi Osmani më 4 dhjetor, shkruan REL.

Sipas tij, e vetmja gjë që mund të ndryshojë është dinamika e dorëzimit dhe pranimit.

“Është gabim të mendosh se po negociojmë me Bashkimin Evropian. Rregulloret dhe direktivat janë të fiksuara. Ju duhet t’i pranoni ato ashtu siç janë për t’u bërë anëtare e BE-së. Pavarësisht nëse është LSDM [Lidhja Socialdemokrate në pushtet], BDI [Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet] apo VMRO DPMNE [partia më e madhe opozitare maqedonase], askush nuk ka mundësi të ndryshojë diçka në negociatat me Bashkimin Evropian”, shtoi Osmani teksa tha se pa ndryshimet kushtetuese nuk mund të flitet për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Ai tha se kjo temë përfundimisht duhet të mbyllet sepse sipas tij, qytetarët pavarësisht se cilës prejardhje politike i përkasin, duan anëtarësimin në BE.

“Nëse nuk ka dallime, atëherë pse të mos e lëmë anash këtë temë, në interes të qytetarëve që duan BE në të dyja anët e skenës politike. Kemi mjaft tema për të diskutuar”, u shpreh Osmani.

Pavarësisht thirrjes të shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, VMRO-ja opozitare ka thënë se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese nuk mund të miratohen pa votat e VMRO DPMNE-së, pasi shumica parlamentare nuk ka 80 vota, apo dy të tretat në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, që numëron 120 ulëse të deputetëve.





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika