Miratohet Projektligji për Rishikimin e Buxhetit për vitin 2022

Të mërkurën e 13 prillit, Qeveria e Kosovës, ka miratuar Projektligjin për Rishikimin e Buxhetit për vitin 2022.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ka pasur ndryshim në trendin e të hyrave, me rritje prej rreth 17 për qind në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.

“Tre mujorin e parë të vitit kemi pasur 17 për qind më shumë të hyra, marrë parasysh edhe nevojën për mbështetjen e qytetarëve është parë e nevojshme të kemi një rishikim të tillë që të reflektohen këto të hyra. Vlera që i shtohet buxhetit është 150 milionë euro”, ka thënë ai në mbledhjen e qeverisë.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje është marrë vendim për ndarjen e nga 100 eurove për muajin prill për të gjithë përfituesit nga skemat sociale, pensionistët dhe punëtorët në sektor privat a publik e me pagë deri në 100 euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.

Po ashtu, është miratuar projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në vlerë prej 250 euro neto apo 264 euro bruto.

Ministri Murati në arsyetim të propozimit ka thënë se do të duhet të ndryshohen edhe ligjet që ndërlidhen me pagën minimale.

“Miratimi i këtij projektligji në Qeveri e Kuvend i hapë rrugë sjelljes në Qeveri të vendimit për rritjen e pagës minimale në vlerë prej 264 euro apo përkthyer në orë punë 1.5 për ore”, ka thënë ministri Murati.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të martën se, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shesë në muajin prill.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Kjo pako, me vlerë prej 420 milionë eurosh, është miratuar nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar, për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset t’i adresojnë humbjet e pësuara nga pandemia e koronavirusit.

Ndërkaq, Kurti në fillim të mbledhjes së qeverisë ka thënë se vendimi për ndalimin e eksportit të produkteve bazë është me qëllimin që të sigurohet furnizimi i qytetarëve me produktet si gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.

Në arsyetimin e vendimit, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se kjo bëhet me qëllim që të mos rrezikohet furnizimi i popullatës.

“Lufta në Evropë dhe zhvillimet tregtare në botë po vështirësojnë furnizimin me produkte bazë të ushqimit. Eksporti dhe rieksporti sado i vogël që të jetë mund të rrezikojë furnizimin e popullatës sonë në të ardhmen”, ka thënë ajo.

Ndryshe, vendimin e qeverisë për ndarjen e shumës prej 100 eurosh për të gjithë pensionistët, punëtorët, studentët dhe ata që janë në skemë sociale, si ndihmesë për të përballuar krizën ekonomike, Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka quajtur “lëmoshë”.

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në një konferencë për media ka thënë kjo shumë nuk mund t’i mbulojë skandalet e kësaj qeverie të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

“Ky vendim i Qeverisë është në formë lëmoshe. I rikujtojmë Qeverisë që qytetarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik afatgjatë e jo për lëmosha të asistencës sociale. Me 100 euro politike nuk mund të mbulohet nepotizmi, shkelja e Kushtetutës apo afera super pronto në KEK. Pra, me 100 euro politike nuk mund të fshihet paaftësia”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, të paaftë dhe pa ide për të qeverisur me vendin, e ka cilësuar Qeverinë e Kosovës, sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bernard Nikaj.

Ai, në një konferencë për media, e ka quajtur veprim popullist vendimin e Qeverisë për ndarjen e 100 eurove, kategorive të pensionistëve, studentëve dhe punëtorëve të sektorit publik dhe atij privat.

Sipas Nikajt, Qeveria Kurti po tenton t’i mashtrojë qytetarët e Kosovës.

“Krejt çfarë po bën Kryeministri Albin Kurti sot, është ajo që ai di ta bëjë më së miri, e që është popullzimi. Pasi ua rriti çmimin e energjisë elektrike me mbi 100% qytetarëve të Kosovës dhe pasi nuk po arrin të kontrollojë rritjen enorme të çmimeve të çdo produkti elementar të shportës familjare, qeveria e nisi sot ditën me një tentim për të mashtruar sërish qytetarët e Kosovës, përmes një lëmoshe as më shumë dhe as më pak se në vlerën 100 euro”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka cilësuar shumën prej 100 euro që Qeveria ka vendosur ta ndajë, për pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat, si të pamjaftueshme.

Sipas Haradinajt, kjo masë e ndërmarrë nga Qeveria nuk e zgjidhë asnjë problem dhe se shuma prej 100 eurosh është tejet e vogël.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika