Mitsotakis në Beograd: Nuk kemi ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12 shkurt, konfirmoi qëndrimin e pandryshuar të Greqisë në lidhje me Kosovën. Ai theksoi se për të normalizuar raportet në mes të dy vendeve, ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë thelbësore, duke shtuar se ky proces do të ndikojë në stabilitetin e rajonit

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, dhe presidenti i Serbisë, Aleksanadar Vuçiq. Beograd, 12 shkurt 2024.

“Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12 shkurt.

“Ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë mënyra e vetme për të normalizuar raportet në mes të dy palëve. Kjo do të ndihmonte ndjeshëm stabilitetin në rajon. Ne po i shikojmë dhe ndjekim me ankth ngjarjet e muajve të fundit”, tha Mitsotakis pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Greqia është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë.

Udhëheqësi grek tha se shteti i tij mbështet Serbinë në rrugën e saj evropiane.

“Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është qëllimi ynë strategjik. Është e rëndësishme për Beogradin që të përfitojë nga këto rrethana pozitive në procedurën evropiane. Duke përshpejtuar reformat në shtetin tuaj, ju do t’i afroheni BE-së”, shtoi ai.

Kryeministri grek, po ashtu, theksoi se ka parë përparim në raportet në mes të Athinës dhe Beogradit. Sipas Mitsotakis, bashkëpunimi në mes të Greqisë dhe Serbisë është zgjeruar në sektorin e energjisë dhe Athina mbështet projektet infrastrukturore dhe investimet e BE-së në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Ne duhet t’i përdorim fondet evropiane që janë të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia dhe Greqia gjithmonë kanë mbështetur integritetin territorial të njëra-tjetrës”.

“Besoj se edhe në të ardhmen do të jetë njëjtë”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se Serbia “është e vendosur” që ta vazhdojë rrugën evropiane dhe ta falënderojë Greqinë për mbështetjen në këtë drejtim, shkruan REL.

Vuçiqi tha se me Mitsotakis ka biseduar për energjinë, përkatësisht për naftësjellësit, gazsjellësit, blerjen e gazit, burimet e energjisë së ripërtërishme, por edhe se si kompanitë greke mund të ndihmojnë që Serbia të ndërtojë këto kapacitete.

Ata, po ashtu, kanë biseduar për infrastrukturën dhe transportin, për modernizmin e rrugës dhe hekurudhës nga Beogradi në Selanik dhe lidhjen e Serbisë me portet greke.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika