Ushtria izraelite (IDF) u ka bërë thirrje qytetarëve në Iran që të shmangin përdorimin e trenave gjatë ditës së sotme.
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale në gjuhën persiane, IDF u kërkon njerëzve “për sigurinë tuaj” të “përmbahen nga përdorimi dhe udhëtimi me tren” në të gjithë vendin deri në orën 21:00 sipas kohës lokale në Iran.
“Prania në trena dhe pranë linjave hekurudhore rrezikon jetën tuaj”, thuhet në njoftim.
Ky paralajmërim vjen në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me sulme ndaj infrastrukturës civile në Iran, nëse nuk lejohet kalimi i lirë në Ngushticën e Hormuzit deri në afatin e vendosur.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka njoftuar se gjatë natës ka kryer një valë sulmesh ajrore ndaj “infrastrukturës” në Teheran, të lidhur me regjimin, si dhe ka vrarë persona që i konsideron anëtarë të Hezbollahut.
Po ashtu, IDF ka bërë të ditur se ka interceptuar raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit.