Reperi Gramoz Aliu, i njohur si Mozzik, është ndaluar dhe intervistuar nën dyshimet për shmangie nga obligimet doganore.
Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njësitet doganore kanë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë të pa deklaruara – një Richard Mille dhe një Rolex – me vlerë totale 1,340,027.50 euro.
Sipas njoftimit, shmangia nga obligimet doganore në këtë rast kapte vlerën mbi 5 mijë euro, andaj është njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Si rezultat i këtij kontrolli në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, njësitet doganore kanë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze (një Richard Mille dhe një Rolex), të cilat nuk janë deklaruar nga udhëtari gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Vlera totale e këtyre orëve është 1.340.027,50 € (një milion e treqind e dyzet mijë e njëzeteshtatë euro e pesëdhjetë cent)”, thuhet në njoftimin e Doganës.
“Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, në përputhje me kompetencat që dalin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar”, thuhet nga dogana.
Më 17 shtator 2025, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy orët mbeten të ndaluara deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.
Vetë reperi ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka konfirmuar se ka dhënë deklaratë: “Sapo dhashë deklaratë, në prezencë të avokatit tim Arianit Koci, lidhur me çështjen e mbrëmjes së kaluar për orën e dorës Richard Mille në Aeroportin e Prishtinës”, ka shkruar Mozzik.