Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) ka njoftuar se është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, pas përfundimit të periudhës informuese që zgjati deri më 15 mars.
Sipas një komunikate për media të MPB-së, në përputhje me deklarimet e kryeministrit Albin Kurti dhe të përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Peter Sørensen, nga 16 marsi qytetarët mund të fillojnë aplikimet për lejeqëndrim ose për lajmërimin e adresës.
Në kuadër të këtij procesi, MPB njofton se do të nxjerrë aktet administrative të nevojshme për të mundësuar regjistrimin për një periudhë tre mujore të fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes që janë regjistruar deri më 15 mars 2026 në institucionet jolegale paralele serbe, me qëllim integrimin e tyre në Regjistrin Civil të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, ministria do të nxjerrë vendime administrative për njohjen e përkohshme të kartave të identitetit të lëshuara nga strukturat paralele serbe, të cilat do të përdoren vetëm për qëllime identifikimi, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
MPB bëri të ditur se në bashkëpunim me institucionet përkatëse, përfshirë Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës, do të ofrohen të gjitha informatat dhe udhëzimet e nevojshme për qytetarët që preken nga këto vendime.
Gjithashtu, ministria do të përgatitet për fillimin e lëshimit të lejeqëndrimeve të përkohshme, pasi të pranohen listat e punëtorëve në sistemin shëndetësor dhe arsimor nga komunat dhe pas aplikimit individual të tyre, në përputhje me procedurat ligjore.
Në komunikatë theksohet se të gjitha veprimet institucionale po ndërmerren për të siguruar zbatim të rregullt dhe të koordinuar të ligjeve, duke garantuar qasje në shërbime dhe siguri juridike për të gjithë qytetarët në përputhje me standardet evropiane dhe sundimin e ligjit.
MPB gjithashtu rikujton se deklarimi i adresës nga shtetasit e huaj brenda tre ditëve nga hyrja në Kosovë është obligim ligjor, i cili mund të bëhet përmes aplikacionit për deklarimin e adresës, përmes ueb-faqes së Policisë së Kosovës ose në stacionin më të afërt policor.
Ministria bëri të ditur se në vazhdimësi do të publikojë udhëzime shtesë për qytetarët dhe për çdo informacion shtesë mund të kontaktohet Zyra për Informim e MPB-së.