MPJ e RMV-së: Fton deputetët për votim historik në lidhje me anëtarësimin në familjen e shteteve evropiane

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka bërë thirrje për ndërgjegjësim drejt deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar dhe votuar për një çështje të rëndësishme dhe historike për vendin. Ministri Osmani ka theksuar se kjo është një mundësi për të arritur qëllimin e dytë strategjik të shtetit për anëtarësim në familjen e shteteve progresive evropiane pas anëtarësimit të vendit në NATO

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) ka dalë me një njoftim drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë komunikatë thuhet se “të premten do të fillojë diskutimi, e më pastaj votimi për çështjen e dytë më të rëndësishme që çdo legjislaturë parlamentare duhet ta kishte bërë në historinë e vendit pas pavarësisë – pas anëtarësimit në NATO, arritja e qëllimit të dytë strategjik të shtetit për anëtarësim në familjen e shteteve progresive evropiane”.

Tutje, ministri i MPJ-së në RMV, Bujar Osmani, u është drejtuar deputetëve duke thënë se “të premten, Ju do të vendosni për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, përcaktim ky për të cilin jemi duke punuar dhe kanë punuar të gjitha Qeveritë në 30 vitet e fundit. Nga Ju varet nëse me pranimin e ndryshimit të Kushtetutës do t’i vazhdojmë bisedimet për kapitujt e anëtarësimit në Union apo do të ngecim në negociata për një afat më të gjatë, deri në një mundësi të re, pa asnjë garanci suksesi, duke nxitur procesin e “pasaportizimit” të qytetarëve që kërkojnë një të ardhme evropiane për veten e tyre”.

Në këtë letër drejtuar deputetëve të kuvendit të RMV-së, ai ka thënë se ka besim që “secili prej jush dëshiron që të jemi anëtarë të Unionit të përbërë nga vendet më demokratike dhe më të pasura në botë që garanton paqe, zhvillim demokratik dhe prosperitet ekonomik”.

“Në procesin e negociatave kishim për qëllim ruajtjen dhe forcimin e gjuhës maqedonase dhe identitetit nacional maqedonas. Me plot përgjegjësi them  se ia dolëm. Gjuha maqedonase është pranuar dhe votuar për herë të parë në Këshillin e BE-së mes shteteve anëtare dhe është pa mëdyshje pjesë e gjuhëve evropiane. Askush nuk mund ta mohojë këtë fakt”, ka thënë Osmani.

Ndër të tjera, ai ka thënë se i kupton ata që kanë frikë nga mundësia e përpjekjeve për mohim dhe për të vendosur kushte të reja bilaterale.

“Me shumë përgjegjësi pohoj se çështjet historike dhe identitare nuk janë pjesë e udhërrëfyesve dhe dispozitave nga të cilat varet hapja dhe mbyllja e kapitujve. Me këtë ndryshim të Kushtetutës, ne vetëm do ta përforcojmë pozitën tonë ndërkombëtare dhe do ta rrisim mbështetjen ndërkombëtare për qëllimet tona. Përmes negociatave do të përmirësohen dhe forcohen dukshëm mundësitë për të vazhduar promovimin dhe avancimin e veçantisë, historisë dhe kulturës nacionale maqedonase”, vijon ai.

Më pas, ai ka thënë se “çdo njeri dhe politikan/e do të ishte i/e lumtur të ngelte në kujtesën e historisë që ka vepruar në mënyrën e duhur kur ka qenë më së shumti e rëndësishme. Të ngelet në kujtesë se ka qenë në anën e duhur, se nuk ka hezituar në vendimin me të cilin ka ndihmuar vendin të ecë përpara, ndërsa njerëzit në të të jetojnë më mirë”.

Ai ka vazhduar tutje se nuk do kishte asnjë dyshim për atë ndryshim të Kushtetutës se do të bëhej ndonjë gabim, por përkundrazi do të hapej një kapitull i ri i zhvillimit dhe stabilitetit për qytetarët e RMV-së.

“Siç e kam përsëritur tani më shumë herë në të gjitha paraqitjet e mia publike, ky ndryshim nuk ndryshon asgjë në pozitën e bullgarëve në Maqedoni dhe në lidhje me të drejtat që deri më tani i kishin dhe të cilat ua garantonte Kushtetuta”, ka njoftuar Osmani.

Ndër të tjera, ai ka thënë se ky ndryshim i jep mundësi Republikës së Bullgarisë dhe botës të dëshmojnë se ata nuk janë të diskriminuar dhe se “kjo është mundësi që tua marrim të gjitha argumentet dhe pastaj të nxitojmë drejt proceseve reformuese, të cilat janë më të rëndësishmet për qytetarët tanë dhe në interesin tonë më të mirë”.

Me ndryshimin e Kushtetutës së RMV-së do të qartësohej edhe më tej se “krahas popullit maqedonas në vend jeton edhe një pjesë e popullit bullgar, i cili është ndryshe”, vijon ai.

“Dhe në fund, e them me përgjegjësi se këtë nuk po e bëjmë nën diktatin e Bullgarisë e as për shkak të shantazhit nga ana e saj. Ky është kompromis në negociata pasi që  memorandumi i tyre deri tek BE për mosnjohje të gjuhës dhe kombit maqedonas nuk mori mbështetje nga vendet anëtare. Kompromis me të cilin e mbrojtëm gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka përfunduar Osmani.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika