Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka njoftuar se ka nënshkruar një vendim për zhvendosjen e ministrisë dhe institucioneve vartëse të saj në objekte publike, me qëllim uljen e shpenzimeve të qirasë.
Sipas tij, ky vendim synon shfrytëzimin e pronës shtetërore dhe eliminimin e kostove të panevojshme, duke e cilësuar këtë si një hap drejt një administrate më efikase.
Muja ka bërë të ditur se nga ky vendim pritet të kursehen rreth 1 milion euro në vit, mjete të cilat, sipas tij, do të ridrejtohen në investime konkrete në sektorin e bujqësisë.
“Këto kursime do të kthehen menjëherë në investime konkrete”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka theksuar se investimet do të fokusohen në mbështetjen e prodhimit vendor dhe fermerëve, mekanizimin dhe teknologjinë bujqësore, zgjerimin e sistemeve të ujitjes dhe rritjen e produktivitetit, si dhe në mbështetjen për të rinjtë dhe gratë në bujqësi.
Po ashtu, Muja ka njoftuar se do të krijohen edhe Qendra të Integruara për Shërbime Bujqësore, të cilat do të ofrojnë shërbime më të organizuara dhe më afër fermerëve.