Mundësia e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, të mërkurën në shqyrtim në Komision

Komisioni për Buxhet, të mërkurën e 30 nëntorit, do të shqyrtojë ndryshimin e Ligjit për Trust-in, në mënyrë që të lejohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga ana e qytetarëve

Objekti i Fondit të Kursimeve Pensionale





Të mërkurën e 30 nëntorit, pritet të shqyrtohet ndryshimi i Ligjit për Trust-in në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Nën arsyetimin e gjendjes ekonomike në vend, partitë opozitare kanë kërkuar që nga TRUST-i të lejohet tërheqja e deri në 30 për qind të mjeteve nga ana e qytetarëve.

Mbledhja do të mbahet në ora 10:00.

Mbi 21 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të Trustit Pensional.

Para se të shqyrtohet, projektligji për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Trusti, i është dorëzuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ky projektligj duhet që të diskutohet në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, brenda dy deri në katër javë. Afati për trajtimin e tij përfundon të enjten.

Për këtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka fajësuar kryetarin e këtij komisioni, Armend Muja.

Sipas Haxhiut, Muja po e shkel rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës.

Për këtë shkak, sipas Haxhiut, organizatorët e mbledhjes së nënshkrimeve, pas datës 24 mund ta padisin Mujën.

Haxhiu në një prononcim për Portali Dukagjini, ka theksuar se shkelja e rregullores së punës së Kuvendit është e barabartë me shkeljen e Kushtetutës së Kosovës.

“Projektligjin për Trustin e ka bllokuar Komisioni për Buxhet dhe Financa, kryetari i komisionit Armend Muja. Ai po e shkel rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës, shkelja rregullores së punës së kuvendit është e barabartë me shkelje të Kushtetutës së Kosovës sepse dy këto akte juridike votohen me 2/3 të deputetëve dhe është shkelje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë siguruar 21 mijë e 398 nënshkrime, por duket që Armend Muja mendon se është më i madh se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nuk i trajton kërkesat e tyre. Është lajmëruar nga iniciatorët e mbledhjes së nënshkrimeve që pas datës 24 edhe mund ta padisin Mujën”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, më 23 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional.

Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm një abstenim, projektligji për Trustin nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë temë u zhvillua debat i gjerë, me akuza e kundërakuza në mes të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.

Kategorikisht, kundër këtij projektligji është shfaqur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se një veprim i tillë do ta dëmtonte të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa, sipas opozitës, kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është kërkesë e qytetarëve dhe jo e tyre.





Shija e redaktorit

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Të fundit nga rubrika