Mungesa e sigurisë së punëtorëve në vendet e punës, njëra ndër shkaktarët për ikjen nga Kosova

Siguria e punëtorëve në vendet e punës vazhdon të mbetet njëra ndër problemet, me të cilën, vendi ynë po përballet. Lidhur me këtë çështje, për portalin Dukagjini kanë folur njohës dhe ekspertë të sigurisë dhe shëndetit në punë. Gjithashtu, Policia e Kosovës ka dhënë statistika për vdekjet e punëtorëve në vendet e punës

Fotoilustrim

Siguria në vendin e punës në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me anë të dy ligjeve që janë në fuqi, Ligji i punës dhe Ligji për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës, megjithatë mossiguria vazhdon të jetë fenomen shqetësues, tashmë e disa vite.

Se ligji për sigurinë e punëtorëve në vendet e punës nuk po gjen zbatim, e tregojnë edhe statistikat që Portali Dukagjini ka siguruar nga Policia e Kosovës(PK). Statistika, në të cilat, tregohet se vetëm në periudhën janar-gusht të vitit 2022, janë gjithsej 118 raste me rrezikishmëri në vendin e punës.

“Policia e Kosovës, evidentimin e rasteve në sistemin e të dhënave e bën sipas Kodit Penal të RKS, andaj … të dhënat për numrin e përgjithshëm të rasteve të veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’ që për periudhën kohore janar–gusht 2022, janë evidentuar 118 raste”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të PK-së.

Një gjë e tillë, vë në dukje faktin se siguria e punëtorëve në vendin e punës në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese, por jo vetëm në vitin aktual haset një problem i tillë, ngjashëm ka qenë situata edhe para tre vjetësh.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), ka treguar për portalin Dukagjini se, vetëm në vitin 2022, fatkeqësisht, kanë humbur jetën 18 punëtorë në vendet e tyre të punës.

Ai ka bërë të ditur se viti 2019 ka qenë viti me më së shumti vdekje të punëtorëve në vendin e punës, duke u pasuar pastaj nga viti 2021. Ndërsa për vitin 2020, ai ka thënë se ka pasur rënie të rasteve të tilla, pasi kanë rënë edhe punimet për shkak të pandemisë Covid-19.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK)

“Realisht statistikat tregojnë se viti 2019 është vit me më së shumti njerëz që kanë vdekur në vendet e punës. 27 kanë vdekur në vitin 2019, përderisa në vitin 2022, deri më tash, fatkeqësisht, kemi 18 punëtorë që kanë humb jetën në vendet e tyre të punës. Viti 2020 është me një rënie, pasi prekja e pandemisë në njëfarë forme i zvogëloi edhe punimet, dhe viti 2021 është diku me 19 raste të vdekjeve të punëtorëve në vendet e tyre të punës”, ka thënë Azemi nga SPSPK.

Ndërsa, i pyetur se a ka siguri në vendet e punës apo jo, Azemi ka mohuar një gjë të tillë. Sipas tij, pasiguria në vendin e punës, është një prej faktorëve që punëtorët po largohen nga Kosova.

Tutje, Azemi ka bërë të ditur se “Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë”, nuk po gjen zbatim në vend. Ai ka kritikuar Ministrinë e Transfereve dhe Inspektoratin e Punës, pasi sipas tij, këta dy mekanizma shtetëror i kanë lënë në harresë kushtet dhe gjendjen, në të cilën, punëtorët në Kosovë punojnë.

“Ministria e Transfereve dhe Inspektorati i Punës, me përjashtim një ditë, që e kanë bërë një vizitë në disa kompani në Skenderaj, përndryshe është lënë në harresë edhe gjendja e punëtorëve, madje nuk po respektohet as Ligji për siguri dhe shëndet në punë”, ka theksuar Azemi.

Krahasuar me vendet e tjera, rastet e vdekjeve të punëtorëve në ambiente të punës në Kosovë janë më të larta. Këtë e ka konstatuar, gjithashtu, Azemi nga SPSPK, i cili ka potencuar se katërfish më shumë vdesin punëtorë në Kosovë sesa në vendet e tjera evropiane. Një konstatim të tillë, ai e mbështet me statistikat që në 100 mijë punëtorë në Zvicër, vdesin vetëm dy punëtorë, ndërkohë që në Kosovë vdesin tetë punëtorë.

“Në Evropë, jemi vendi me vdekjet më të mëdha, më mirë të themi katërfish vdesin punëtorë më shumë në Kosovë sesa në vendet e tjera. Përderisa në 100 mijë punëtorë në Zvicër, brenda vitit vdesin 2 punëtorë, te ne vdesin 8 punëtorë, që do të thotë katër herë është numri më i madh te ne”, ka thënë Azemi.

Lidhur me këtë çështje për portalin Dukagjini, ka folur edhe eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Bekim Doli, i cili ka thënë se pezmatueshmëria e Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, ka ngecje të padiskutueshme.

Bekim Doli, ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë

I pyetur për sigurinë e punëtorëve në ambientet e punës, Doli ka theksuar se sektori i ndërtimtarisë, mbetet sektori me numrin më të madh të lëndimeve dhe vdekjeve në punë, si pasojë e pasigurisë.

“Siguria e punëtorëve në vendin e punës ka rreziqet e veta, por në Kosovë sektori i ndërtimtarisë, prin si sektori me numrin më të madh të lëndimeve dhe vdekjeve në punë, si pasojë e pasigurisë që vjen kryesisht nga mungesa e trajtimit të punëtorëve dhe nga mosrespektimi i rregullave bazë të sigurisë në punë”, ka shtuar Doli.

Ngjashëm sikurse Azemi, edhe Doli është shprehur se pasiguria në vendet e punës është një arsye që punëtorët kosovarë po largohen për punë në vendet evropiane.

“Pagat e ulëta, orari i stërzgjatur i punës, si dhe pasiguria në vendin e punës, janë disa nga faktorët që po largohen punëtorë nga Kosova drejtë vendeve evropiane, duke mos harruar moszbatimin e Ligjit për siguri dhe shëndet në punë”, ka shtuar ai.

Eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Bekim Doli, mendon se të drejtat e punëtorit në Kosovë nuk respektohen. Sipas tij, punëtorët në Kosovë meritojnë trajtim më të mirë.

“Përderisa në Kosovë punëtorët punojnë pa kontrata pune dhe pa sigurim shëndetësorë, nuk paguhet mbas orarit të punës, nuk ju ‘takon’ pushimi vjetor, nuk mendoj se ndokush mund të jetë i kënaqur me respektimin e të drejtave të punëtorëve”, është shprehur Doli.

Ish-ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të Punës, Valon Leci, për çështjen e sigurisë në vendet e punës mendon se është e pamundur të referohemi me terma pozitivë, pasi edhe një punëtorë i humbur është shumë, sepse është jetë njeriu.

Valon Leci, ish-ushtrues i detyrës së Kryeinspektorit të Punës

Mirëpo, se si e sheh zgjidhjen e këtij problemi, Leci ka një qasje ndryshe nga të tjerët. Sipas tij, ky është një proces dinamik që duhet të përmirësohet çdo ditë dhe me kontributin e të gjithëve.

“Kushtet e punëtorëve është proces dinamik, i cili duhet të përmirësohet çdo ditë, gjithkund dhe me kontribut të të gjithëve. Pra, zgjidhja për aq sa është e mundur, është te unifikimi i të gjithë akterëve të përfshirë në proces, dhe kontributdhënia e përbashkët”, ka thënë Leci.

Mendim të njëjtë, Leci ndan edhe për fenomenin e ikjes së punëtorëve, pasi mendon se është proces delikat, i cili zhvillohet në vazhdimësi.

Për zgjidhjen e problemit të pasigurisë së punëtorëve në vendin e punës, Bekim Doli, si ekspert i sigurisë në punë, mendon se punëdhënësit duhet të investojnë në mirëqenien e punëtorëve.

“Kushtet më të mira të punës krijohen kur punëdhënësi investon në mirëqenien e punëtorëve, duke u siguruar transportin punëtorëve, trajnimet nga SSHP, sigurimin e PPM, sigurim shëndetësorë, kontrollet sistematike shëndetësore, të cilat janë bazë për klasifikimin e sëmundjeve profesionale, me një fjalë zbatimi i ligjit të punës, ligjit për SSHP si dhe rregulloret në fuqi nga lëmia e SSHP. Tek atëherë mund të themi që kemi krijuar kushte më të mira për punëtorët në përgjegjësi”, ka përfunduar Doli.

Ndërsa, sipas Jusuf Azemit, fajtorë për vdekjet në vendin e punës janë edhe vetë punëtorët, por fajin kryesor e bart pronari i kompanisë, bashkëngjitur këtu edhe qeverinë dhe udhëheqësit e vendit, të cilët sipas Azemit, njoftohen për rastet e pasigurisë në vende të punës, por nuk kanë ndërmarrë asnjëherë thuajse asnjë masë. Madje, sipas Azemit, e nevojshme është edhe një fushatë për edukimin e punëtorëve, por që sipas tij, as këtë nuk e bën askush.

 

 

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika