NATO ka njoftuar se po rregullon qëndrimin e misionit të saj në Irak, pas raportimeve se aleanca ka nisur të tërheqë një pjesë të personelit për shkak të përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, konfirmoi për Reuters se ndryshimet po bëhen në kuadër të Misionit të NATO-s në Irak dhe në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët.
Ajo theksoi se siguria e personelit mbetet prioritet kryesor, duke shtuar se për këtë arsye nuk do të jepen detaje të mëtejshme mbi masat konkrete që po ndërmerren, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Pavarësisht rregullimeve, NATO bëri të ditur se dialogu politik dhe bashkëpunimi praktik me Irakun do të vazhdojnë, përfshirë edhe përmes misionit të saj në vend.
“Ne mund të konfirmojmë se po rregullojmë qëndrimin tonë në kuadër të Misionit të NATO-s në Irak. Po punojmë në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët. Siguria dhe mbrojtja e personelit tonë janë parësore, prandaj do të përmbahemi nga dhënia e detajeve shtesë për këtë çështje. Dialogu politik dhe bashkëpunimi praktik mes NATO-s dhe Irakut, përfshirë përmes Misionit të NATO-s në Irak, do të vazhdojnë,” ka thënë Hart.