Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se ka ndaluar importimin e 1,080 litrave vaj ulliri për sallatë, pas kontrollit të realizuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar në pikën doganore në Vërmicë.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit fizik të mallit është vërejtur se ky produkt nuk përmbante të dhënat e duhura në deklaracionin e mallit dhe po ashtu, është konstatuar se malli ishte transportuar në kushte jo të mira higjienike dhe së bashku me mallra të tjera jo ushqimore (detergjentë), çka rrit mundësinë e kontaminimit, njofton Dukagjini.
“Në përputhje me Ligjin e Ushqimit, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe rregulloret përkatëse të sigurisë ushqimore, një produkt i tillë konsiderohet i papërshtatshëm, i pasigurt dhe i rrezikshëm për konsumim, dhe si i tillë nuk mund të lejohet për importim në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.