Një person është ndaluar në Prishtinë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë”, njofton Prokuroria Themelore.
Sipas njoftimit, i dyshuari me inicialet XH.V. është ndaluar për 48 orë, pas hetimeve intensive të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Hetimet lidhen me një rast vjedhjeje në një argjendari në Prishtinë, ku dyshohet se janë marrë rreth 9 kilogramë ari, me vlerë rreth 1 milion euro.
Gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një armë pa leje dhe një diamant, me urdhër të prokurorit të shtetit.
Po ashtu, është ndërmarrë veprim për ndalimin e përkohshëm të pasurisë së të pandehurit, përfshirë një veturë të tipit BMW X6 dhe një banesë në lagjen Tophane, në vlerë rreth 110 mijë euro. Për këto pasuri pritet të parashtrohet kërkesë për urdhër ndalues përfundimtar.
Prokurori i shtetit pritet që brenda afatit ligjor të kërkojë nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.