Në një vjetorin e vdekjes, familjarë, miq, bashkëpunëtorë, përfaqësues të Kishës dhe dashamirë përkujtuan ambasadorin Anton Berisha.
Në akademinë përkujtimore të organizuar nga komuna e Pejës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj foli për rolin e Berishës në dy periudha të bashkëpunimit: ndërtimin e institucioneve në vitet e para të pasluftës, dhe më vonë si ambasador e zëvendësministër i Punëve të Jashtme në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe marrëdhënieve diplomatike me shtetet perëndimore, njofton Dukagjini.
Në këtë kontekst, Haradinaj veçoi avancimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë të Vatikanit.
Duke e vlerësuar si intelektual me autoritet të lartë, për shkak të mënyrës së përfaqësimit, dijes, thellimit në tema dhe karakterit analitik, ish-kolegët ambasadorë, miqtë e Anton Berishës, Lulzim Peci dhe Sandër Kovaçi e veçuan atë për angazhimin pro-perëndimor në aspektin profesional, por edhe për përkushtimin ndaj familjes.
Në emër të familjes pjesëmarrësit dhe organizatorët i falënderoi Genc Berisha, i biri i ambasadorit të ndjerë.
Anton Berisha, i cili vdiq më 2 janar 2025, ishte ambasadori i parë i Kosovës në Slloveni dhe ishte i njohur për lidhjen dhe komunikimin e afërt me Vatikanin.
Ai, po ashtu, ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme, këshilltar diplomatik i kryeministrit.
Para luftës ai ishte pjesë e lëvizjes kombëtare të viteve të ’90-ta, duke kryer organizime politike e kulturore si bashkëpunëtor i ish presidentit Ibrahim Rugova.