Netanyahu pranon t’i bashkohet Bordit të Paqes të Trumpit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të mërkurën se kishte rënë dakord t’i bashkohej Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, pasi zyra e tij më herët kishte kritikuar përbërjen e komitetit ekzekutiv të këtij bordi.

Bordi, i kryesuar nga Trump, fillimisht ishte konceptuar si një grup i vogël liderësh botërorë që do të mbikëqyrnin planin e armëpushimit në Gaza.

Zyra e Netanyahut kishte deklaruar më parë se komiteti ekzekutiv — i cili përfshin edhe Turqinë, një rivale kyçe rajonale — nuk ishte koordinuar me qeverinë izraelite dhe se “është në kundërshtim me politikat e saj”, pa sqaruar konkretisht kundërshtimet.

Ministri i Financave i Izraelit nga e djathta ekstreme, Bezalel Smotrich, e ka kritikuar bordin dhe ka bërë thirrje që Izraeli të marrë përgjegjësi të njëanshme për të ardhmen e Gazës.

Të tjerë që i janë bashkuar bordit janë Emiratet e Bashkuara Arabe, Maroku, Vietnami, Bjellorusia, Hungaria, Kazakistani dhe Argjentina. Të tjerë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Rusinë dhe krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, thonë se kanë marrë ftesa, por ende nuk kanë dhënë përgjigje.

Kjo ndodhi ndërsa Trump po udhëtonte drejt takimit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku pritet të japë më shumë detaje rreth bordit.

Ka shumë pyetje pa përgjigje. Nuk ishte menjëherë e qartë se sa dhe cilët liderë të tjerë do të merrnin ftesa.

Kur u pyet nga një gazetar të martën nëse bordi duhet të zëvendësojë OKB-në, Trump tha: “Mundet.”

Ai pohoi se organizata botërore “nuk ka qenë shumë e dobishme” dhe “kurrë nuk e ka realizuar potencialin e saj”, por gjithashtu tha se OKB-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë “sepse potenciali është shumë i madh”.

Kjo ka shkaktuar polemika, me disa që thonë se Trump po përpiqet të zëvendësojë OKB-në.

Anëtarët e bordit ekzekutiv përfshijnë Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të dërguarin e Trumpit Steve Witkoff, dhëndrin e Trumpit Jared Kushner, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, drejtorin ekzekutiv të Apollo Global Management, Marc Rowan, presidentin e Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe zëvendëskëshilltarin e Trumpit për sigurinë kombëtare, Robert Gabriel.

Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu anëtarët e një bordi tjetër, Bordi Ekzekutiv i Gazës, i cili, sipas armëpushimit, do të jetë përgjegjës për zbatimin e fazës së dytë të vështirë të marrëveshjes.

Kjo përfshin vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e territorit të shkatërruar nga lufta.

Nickolay Mladenov, një ish-politikan bullgar dhe i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, do të shërbejë si përfaqësues i bordit ekzekutiv të Gazës, duke mbikëqyrur çështjet e përditshme.

Anëtarë të tjerë përfshijnë: Witkoff, Kushner, Blair, Rowan, ministrin e Jashtëm të Turqisë Hakan Fidan; diplomatin nga Katari Ali Al-Thawadi; Hassan Rashad, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës së Përgjithshme të Egjiptit; ministren emirate Reem Al-Hashimy; biznesmenin izraelit Yakir Gabay; si dhe Sigrid Kaag, ish-zëvendëskryeministren e Holandës dhe eksperte për Lindjen e Mesme.

Bordi gjithashtu do të mbikëqyrë një komitet të sapoemëruar teknokratësh palestinezë, të cilët do të drejtojnë punët e përditshme të Gazës.

Shija e redaktorit

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

BE: Kosova e 13-ta në botë për siguri strategjike, Mali...

Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më...

Të fundit nga rubrika