Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në Fushë Kosovë.
Kreu i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tha se kjo parti është forcë politike që e ka ndërtuar shtetin në kohët më të vështira.
“Në Fushë Kosovë folëm për ambient të pastër, për rend dhe për zhvillim të qëndrueshëm. Sepse infrastruktura nuk është vetëm asfalt, por cilësi jete, shëndet dhe perspektivë për familjet dhe të rinjtë. Në Fushë Kosovë folëm edhe për Unazën e Kryeqytetit, si një projekt jetik që lehtëson qarkullimin, edhe në këtë komunë. Folëm për magjistralet dhe autostradat që duhet ta lidhin Kosovën më shpejt, më sigurt dhe më drejtë, me një plan kombëtar infrastrukture që u shërben qytetarëve dhe bizneseve”, u shpreh Abdixhiku.
Abdixhiku, mes tjerash, u shpreh se me qytetarët e Fushë Kosovës ka ndarë zotime konkrete dhe vizion të qartë për katër vitet e ardhshme, njofton Dukagjini.
“Me qytetarët e Fushë Kosovës ndamë zotime konkrete dhe vizion të qartë për katër vitet e ardhshme. Një vizion që e kthen planifikimin në vepra dhe premtimet në projekte reale.
Fushë Kosova përfaqësohet në listën e LDK-së nga dy kandidatë të shkëlqyer, me përvojë të dëshmuar institucionale. Me numër 38 Besnik Osmani, njohësi i thellë i qeverisjes lokale dhe administratës publike, Besnik Osmani ka shërbyer për dekada në institucione kyçe të shtetit: si Sekretar i Përgjithshëm, Auditor i Përgjithshëm dhe nënkryetar komune, gjithmonë pranë qytetarëve dhe interesit publik. Me numër 78 Majlinda Shaqiri magjistre e shkencave filologjike nga Universiteti i Prishtinës, shkrimtare, gazetare dhe aktiviste e përkushtuar”, u shpreh Abdixhiku.