Nga “Ibër-Lepenci” te dy raste të rënda të lidhura, Hoxha flet për rrjet kriminal dhe ndërhyrje të shërbimeve serbe

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaron se nga grupi kriminal që shkaktuan sulmin terrorist në kanalin Ibër Lepenc janë zbuluar edhe dy raste tjera të rënda. Ky grup, siç thotë Hoxha, ka vepruar për një kohë të gjatë në Kosovë dhe është ndërmarrje e organizuar nga shërbime sekrete të Serbisë.

Në intervistën për KosovaPress, Hoxha thekson se janë edhe dy raste tjera që po hetohen, por që nuk ka dhënë detaje se për çfarë saktësisht bëhet fjalë.

Se a ka të dyshuar të tjerë për sulmin e mbrëmjes së 29 nëntorit të vitit të kaluar në kanalin e Varagës së Zubin Potokut, Hoxha thotë se po, por gjithashtu thekson se janë “duke u ndjekur pista të tjera të hetimit”.

“Ajo që është me rëndësi, me e dokumentuar, nëse mundet me e kap kamera juaj. Ky është një prej personave të cilët është arrestuar. Kjo librezë është librezë ushtarake me të cilën dëshmohet që ky person ka qenë pjesë e shërbimit inteligjent të Ushtrisë së Serbisë. Me gradën e togerit, ata e quajnë poruçnik. Edhe kjo është struktura e tyre, domethënë ky është lidhja direkte e Serbisë, e institucioneve të sigurisë së Serbisë në këtë rast. Persona të tjerë ka, janë dokumentuar edhe do të ndiqen edhe pista të tjera të hetimit. Ajo çka është e rëndësishme është që kemi arritur të dokumentojmë lidhjen e këtyre personave me persona të tjerë. Te ky rast, ne kemi edhe dy raste të tjera të cilat jemi duke hetuar, sepse gjësendet, armatimi, pajisjet që janë gjetur te këta, lidhen me dy vepra të tjera të rënda kriminale që kanë ndodhur në Kosovë, në Kosovën e pasluftës. Po cilët ne nuk mund t’i bëjmë publike tash për tash për shkak se janë në proces të hetimit dhe ne duhet të koordinohemi me Prokurorinë Speciale kur duhet me i publikuar. E rëndësishme është që domethënë tre raste të rënda janë zbuluar nga ky grup kriminal.

Ky grup kriminal ka vepruar për një kohë të gjatë. Armatimi, mënyra e përzgjedhjes së cakut, aftësitë për të përzgjedhur, për të ditur se si me vendos eksplozivin, sasinë e eksplozivit, pastaj mënyra e tërheqjes, të gjitha këto kanë bërë që me treguar që ky nuk ka qenë një ndërmarrje e thjeshtë, por ka qenë ndërmarrje e planifikuar, kriminale, e organizuar shumë mirë prej shërbimeve sekrete të shtetit fqinj, me qëllim të dëmtimit dhe futjes në kaos të shtetit tonë, Kosovës”, deklaron Hoxha për KosovaPress.

Hoxha tregon për bashkëpunimin që kanë pasur nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI), për hetimin e këtij rasti. Për të rritur kredibilitetin, ai thotë se ka dërguar një shkresë ambasadorit amerikan në Prishttinë, për të kërkuar mbështetjen e FBI. Hoxha tregon se pas disa ditëve, oficerë kanë ardhur në Kosovë dhe kanë monitoruar e ndihmuar procesin e hetimit. Bazuar në bastisjet që janë kryer në shtëpitë e të akuzuarve, Hoxha thotë se “janë gjetur gjurmët se si është përdorur ekspozivi”.

“Personat përgjegjës tashmë shkencërisht janë dokumentuar që janë të lidhur me shpërthimin. Policia e Kosovës ka kryer bastisje atë ditë, bazuar në informacionet që ka pasur me autorizim të Prokurorisë Speciale. Kemi pasur një mbështetje të prokurorit special në këtë rast. Mandej, në shtëpitë e tyre, në lokalet përcjellëse të tyre ne kemi gjetur dëshmi që ndërlidhen me veprën penale të Iber Lepencit, në këtë sulm kriminal, terrorist. Mandej dëshmitë janë dërguar për ekzaminim nga laboratori i forenzikës, jo por laboratori i Kosovës, ka arritur të dokumentohet që ADN-ja që është gjetur në fitilin ngadalndezës që është përdorur për të shpërthyer eksplozivin, janë gjetur gjurmët e ADN-së të personave të cilët ne i kishim arrestuar më herët gjatë bastisjeve të datës 30/11, domethënë një ditë pas sulmit në Iber Lepenc.
Po ashtu edhe ato pjesë të tjera të çizmeve që janë gjetur në shtëpinë e personave të dyshimtë, janë marrë dhe janë dërguar për ekzaminim në laboratorin në FBI. Ne kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme të FBI-it, ambasadës amerikane me qëllim që të kemi një lloj kredibiliteti shumë më të madh në hetim. Nëse ju kujtohet, institucionet e Serbisë, politika e Serbisë, një ditë pas sulmit në Iber Lepenc, filluan të godasin Policinë e Kosovës sikur Policia e Kosovës ka qenë ajo që ka bërë vetë ose me njerëz të vet këtë sulm. Dhe filluan të krijojnë përshtypje sikur sepse mendojnë me logjikën e mbrapshtë siç ka vepruar përpara në Kosovë institucionet e sigurisë së Serbisë, duke filluar prej BIA-s e policisë e të tjerë, këtë rast e kam fjalën për Pandën, rasti Panda në Pejë, duke menduar që edhe Policia e Kosovës është e tillë”, thekson ai.

Shpërthimi në Ibër-Lepenc, Hoxha thotë se është ndër rastet më të rënda për Policinë e Kosovës.

“Ky rast është rasti, ndër rastet më të rënda. Pas rastit të sulmit të Banjskës, është rasti më i rëndë dhe më serioz me të cilin Policia e Kosovës është ballafaquar. Duhet me kuptuar që këtu nuk kemi të bëjmë me dy individë, tre individë që e kanë kryer këtë rast. Kjo dëshmon që sulmi në Ibër Lepenc ka qenë një sulm i mirë planifikuar edhe me kohë i planifikuar prej institucioneve të sigurisë, shërbimeve inteligjente, të institucioneve të Serbisë, duke përdorur këta individë të cilët kanë qenë në shërbim të tyre me qëllim t’i bëjnë dëm të madh Kosovës, vendit tonë, edhe ta futin në kolaps ekonomik, energjetik dhe të krijojnë pasiguri totale në veriun e Kosovës”, shton ai.

Tutje, Hoxha thekson se janë bërë me muaj hetime për këtë sulm dhe se i njëjti “ka pasur qëllim destabilizimin e komplet situatës në veri të vendit”.

“Rasti më i madh është rasti i fundit, aktakuza që ishte te Iber Lepenci, sepse ne jemi marrë me muaj të tërë në hetimin e këtij rasti. Ka qenë një sulm shumë i madh, shumë i rëndë, me qëllim të destabilizimit të komplet situatës në veri të vendit, me qëllim të destabilizimit ekonomik të Kosovës, futjes në kolaps energjetik të vendit tonë, mungesës së energjisë po ashtu të industrive që furnizohen nga kanali i Iber Lepencit. Pastaj prodhimi i energjisë, ngrohja qendrore që furnizohet komplet nga termocentrali i Kosovës, Kosova A dhe Kosova B. U dashtë policët tanë të kryejnë një punë të jashtëzakonshme. Unë me të vërtetë jam shumë i kënaqur me nivelin profesional që e kanë treguar policët tanë atë natë sepse së pari ishte reagim shumë emergjent i institucioneve përgjegjëse, Ibër Lepencit, Ministrisë së të këtij, Industrisë dhe ekonomisë, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Brendshme, brigadës së zjarrfikësve, të gjithë ata që janë organizuar gjatë natës në mënyrë që për asnjë orë të mos ndërpritet prodhimi i energjisë elektrike, kanë arritur me sanuar në afat rekord dëmin që është bërë nga shpërthimi”, deklaron ai.
Një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me partnerë ndërkombëtarë për sulmin ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
Të akuzuarit janë: Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimiviq.
Aktakuza është ngritur për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.

 

 

Të fundit nga rubrika