Nga muaji prill – zgjatet orari i Trafikut Urban

Në Komunën e Prishtinës pritet të zgjatet orari i punës nga ndërmarrja publike “Trafiku Urban”.

Pas shtrenjtimit të naftës në Kosovë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vendosur që të ngrihet tarifa startuese e taksive.

Ndonëse theksoi se rritja e këtij çmimi stimulon përdorimin e autobusëve të Trafikut Urban, dhe përdorimin e taksive e ka quajtur luks, zyrtarë nga komuna e Prishtinës në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjinin, kanë deklaruar se është menduar si opsion edhe zgjatja e orarit të trafikut urban.

Megjithatë, nuk është treguar se deri në cilën orë qytetarët e Prishtinës do të mund t’i përdorin autobusët si mjet transporti.

Por, në përgjigjen e komunës, thuhet se gjatë muajit prill të këtij viti, komuna e Prishtinës do të publikojë orarin e ri të punës.

“Jemi në diskutim me kryetarin për zgjatjen e orarit dhe besoj që brenda muajit prill dalim me orarin e ri”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, tarifa startuese e taksive në Prishtinë, nga një euro e gjysmë sa ishte, tashmë është ngritur në dy euro.

Vendimi ishte marrë nga kryetari Rama, të premten e 11 marsit.

“Ngritja e çmimit është kërkesë e taksive, për arsye të ngritjes së lartë të çmimeve të naftës, dhe përderisa ngritja është e lartë e çmimeve, kemi lejuar edhe ngritjen e çmimeve të taksive. Aspekti tjetër është që të stimulojmë përdorimin e trafikut urban”, kishte thënë Rama.

Ndërsa, sa i përket lagjeve dhe fshatrave të kryeqytetit, të cilat nuk kanë Trafik Urban, Rama kishte thënë që janë në një bashkëpunim me Bankën Evropiane për të marrë edhe 30 autobusë shtesë.

Në anën tjetër, në një përgjigje nga zyrtarë të kompanisë së Trafikut Urban për RTV Dukagjinin, thuhet se pas ngritjes së çmimit të derivateve, është rritur edhe interesimi i qytetarëve që përdorin linjat e ndryshme të autobusëve të Trafikut Urban.

Në rast të realizimit të zgjatjes së orarit të punës, si opsion zyrtar, nga kjo ndërmarrje e transportit publik kanë theksuar se do të përpiqen që të punojnë sipas vendimit të komunës.

“Zgjatja e orarit të linjave është në kompetencat e Drejtorisë së Shërbimeve Publike pranë komunës së Prishtinës dhe ne mund të ofrojmë shërbim sipas vendimeve te cilat adresohen nga komuna në adresë të TU”, thuhet në përgjigje.

Që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë, rritja e çmimit të naftës në vazhdimësi është jostabile.

Ndryshe, qeveria e Kosovës më një mars të këtij viti, ka marrë vendim që të përcaktojë marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës. Kjo, për qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë.

Bazuar në vendimin e qeverisë, marzha tregtare më e lartë do të jetë deri në katër për qind të çmimit të shitjes. Kurse, te shitësit me pakicë, marzha më e lartë do të jetë deri në gjashtë për qind.

Ndërkohë, komuna e Prishtinës, më 18 mars të këtij viti, kishte marrë vendim që të lirojë disa kategori nga pagesa e përdorimit të trafikut urban.

“Policia e Kosovës, Zjarrfikësit dhe nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës lirohen nga pagesat e përdorimit të trafikut urban”, thuhej në njoftimin e komunës.

Sipas njoftimit, thuhej se vendimi është marrë për të stimuluar përdorimin e transportit publik te gjeneratat e reja.

Ndërkaq, edhe Ministria e Infrastrukturës kishte marrë vendimin për përgjysmimin e pagesës së çmimit të biletës së autobusit për disa kategori të shoqërisë.

Por, ky vendim ishte konsideruar si i padrejtë nga Shoqata e Transportit Rrugor të Kosovës.

Kjo shoqatë, më 14 mars të këtij viti, kishte dorëzuar padi për anulimin e këtij vendimi.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika