Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se ka pranuar informata nga autoritetet kufitare të Serbisë se nga nesër, më 26 janar, me fillim nga ora 12:00, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.
Sipas njoftimit, ndërprerja vjen si pasojë e protestës së paralajmëruar nga Shoqata e Transportuesve në Serbi, e cila është organizuar kundër masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian për shoferët e kamionëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Protesta do të mbahet në territorin e Serbisë dhe pritet të zgjasë deri në shtatë ditë.
QKMK paralajmëron se këto protesta do të ndikojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e mjeteve transportuese dhe mallrave, si dhe mund të shkaktojnë mbingarkesë të trafikut në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit që janë të përfshira në protesta.
“Këto protesta do të ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit, mallrave dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të RKS me vendet e rajonit, që janë përfshirë në protesta. Për më tepër shoqatat e transportit të mallrave ose shoferët e kamionëve mund të mbajnë kontakte me homologët e tyre ose kolegët e tyre në rajon”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.