Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka ngritur një akuzë të re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për veprat penale të pengimit të drejtësisë.
Sipas aktakuzës të konfirmuar, Thaçi akuzohet për përpjekje për të penguar detyrat zyrtare të gjyqtarëve, për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
Për këtë rast, janë arrestuar edhe tre persona të tjerë: Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, të cilët akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës. Ata janë transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe pritet të paraqiten para gjykatës.
Gjithashtu, një fletëthirrje është lëshuar për Hajredin Kuçin, i cili do të paraqitet para gjykatës për dy akuza të mosbindjes ndaj gjykatës.
“Më 29 nëntor 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.
Në aktakuzë, të akuzuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët.
Z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Fletarrestimi i lëshuar nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake iu dorëzua z. Thaçi në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar. Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë”, thuhet në njoftim.
Në një njoftim thuhet se mes datave 12 prill dhe 2 nëntor 2023, Hashim Thaçi ka dhënë informacion konfidencial dhe ka udhëzuar të akuzuarit e tjerë, për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.
Thaçi është akuzuar për koordinimin e tri grupeve për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve, përfshirë grupet me Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi.
“Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi
informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë. Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.
Në aktakuzën e konfirmuar, kundër z. Thaçi janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Fazliu, z. Smakaj dhe z. Kilaj është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Kuçi janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës”.
Në aktakuzë përmenden tri grupe, të cilat, pretendohet se kanë synuar ndikimin në dëshmitë e dëshmitarëve.
“Hashim THAÇI individualisht dhe me veprim të përbashkët në grupe ku bënte pjesë – duke përfshirë me Fadil FAZLIU dhe Fahri FAZLIU (‘Grupi Fazliu’), Bashkim SMAKAJ, Blerim SHALA dhe Artan BEHRAMI (‘Grupi Smakaj’), dhe Isni KILAJ dhe Vllaznim KRYEZIU ( Grupi Kilaj) – është angazhuar në një model sjelljeje për të penguar personat zyrtarë, këtu, gjyqtar, prokuror, zyrtar i gjykatës, nëpunës i prokurorisë ose person i autorizuar nga gjykata dhe prokuroria për kryerjen e detyrave zyrtare. Hashim THAÇI ka udhëhequr dhe angazhuar në këto përpjekje përmes vizitave të tij jo të privilegjuara në Qendrën e Paraburgimit gjatë kohës që ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij në vazhdim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Seancat e paraqitjes së parë për të akuzuarit do të mbahen më 8 dhe 9 dhjetor dhe do të jenë të hapura për publikun.
“Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të DHSK-së, seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore -z. Thaçi, z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj – janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të z. Thaçi. Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00. Seancat e paraqitjes së parë do të jenë publike dhe mund të ndiqen në gjuhët shqipe, anglishte ose serbishte përmes faqes së transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria për publikun në selinë e Gjykatës”, thuhet më tej në njoftim.