Një dron që hyri në territorin e Estonisë nga hapësira ajrore ruse është përplasur në oxhakun e centralit energjetik të Auvere në qarkun Ida-Viru, në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë (ISS), incidenti ka ndodhur rreth orës 03:43, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar dhe nuk janë raportuar dëme në infrastrukturën energjetike, shkruajnë mediat estoneze.
Prokuroria e Estonisë bëri të ditur se, bazuar në informacionet fillestare, droni nuk ishte i drejtuar qëllimisht drejt Estonisë apo centralit të Auvere.
Hetimet janë duke u zhvilluar për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit, ndërsa në vendngjarje ndodhen edhe njësitë për çminim për shkak të rrezikut potencial nga mbetjet e dronit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonën dhe të raportojnë çdo mbetje të dyshimtë, duke paralajmëruar për rrezik shpërthimi.

Një incident i ngjashëm është raportuar edhe në Letoni, ku një dron i huaj hyri në hapësirën ajrore nga Rusia dhe shpërtheu në rajonin e Krāslavës rreth orës 02:30. Sipas ushtrisë letoneze, objekti ishte identifikuar nga radarët pak minuta para shpërthimit.
Një tjetër dron u raportua i rrëzuar në një zonë rurale në juglindje të vendit, ndërsa autoritetet po hetojnë origjinën dhe trajektoren e tij. Zyrtarët nuk përjashtojnë mundësinë që dronët të kenë devijuar nga kursi për shkak të ndërhyrjeve elektronike gjatë operacioneve ushtarake.
Incidentet ndodhën në një kohë kur porti rus i Ust-Luga, një nga qendrat kryesore të eksportit të naftës në Detin Baltik, ishte nën sulm nga dronë ukrainas. Ndërkohë, objektet e naftës në portin e Primorskut, në anën tjetër të Gjirit të Finlandës, kanë qenë në flakë për më shumë se dy ditë.
Zyrtarët e sigurisë estoneze theksuan se situata lidhet me pasojat e luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe paralajmëruan se incidente të tilla mund të përsëriten.
Qeveria e Estonisë ka njoftuar se do të mbajë një mbledhje urgjente për të shqyrtuar situatën e sigurisë, ndërsa autoritetet në rajon mbeten në gatishmëri të shtuar përballë zhvillimeve të fundit.