Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar të hënën se ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një padi penale kundër Kryesuesit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, si dhe anëtarëve të Bordit të institucionit.
Në kallëzimin penal, OEK i akuzon zyrtarët e ZRRE-së për një sërë shkeljesh, të cilat, sipas tyre, kanë shkaktuar dëm të rëndë ekonomik për bizneset dhe konsumatorët në vend.
Sipas njoftimit të OEK-ut, Bordi i ZRRE-së dyshohet për “moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të detyrimit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe cenim të interesit ekonomik publik”.
“Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale ndaj Kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për dyshimin e bazuar se ata kanë kryer vepra penale, përfshirë:
• Mos-ekzekutimin e vendimit gjyqësor
• Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar
• Shkeljen e detyrimit zyrtar
• Mashtrimin në detyrë
• Cenimin e interesit ekonomik publik
Ky veprim pason kërkesën e OEK-së drejtuar Bordit të ZRRE-së për reflektim dhe fillimin e zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me qëllim kthimin e bizneseve të nxjerra me dhunë në tregun e lirë me çmimet e rregulluara. Megjithatë, Bordi i ZRRE-së ka vendosur të injorojë dhe keqinterpretojë këtë aktgjykim, duke dëmtuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës, me fatura energjetike më të lartat në historinë e Republikës.
Dorëzimi i kallëzimit mbështetet në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialet që dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar.
OEK mbetet e vendosur në misionin e saj për të mbrojtur interesat e biznesit dhe qytetarëve në Kosovë”, thuhet në njoftim.