Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka njoftuar se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e akuzuar atë për moszbatim të vendimit të formës së prerë të Gjykatës Supreme lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset.
Në një komunikatë për media, OEK ka rikujtuar se Gjykata Supreme ka konstatuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin.
Sipas OEK-ut, ZRRE-ja po tenton të relativizojë këtë aktgjykim përmes një komunikate të lëshuar më 18 nëntor.
Sipas OEK-ut, çdo veprim i mëtejmë nga ZRRE-ja i bazuar në aktet tashmë të shfuqizuara “bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës”, ndërsa bizneset “janë dëmtuar rëndë nga një proces i liberalizimit që është konfirmuar si i paligjshëm”.
OEK ka listuar disa pasoja që, sipas tyre, kanë ardhur nga ky proces si rritja e çmimit të energjisë, kontrata të imponuara për biznese, depozita të pajustifikuara dhe rënie e konkurrueshmërisë ekonomike.
Organizata ka kërkuar që ZRRE-ja, brenda pesë ditësh, të ndërmarrë këto veprime.
“Të publikojë një komunikatë të re dhe të korrigjuar mbi vendimin e Gjykatës Supreme, të ndalojë çdo interpretim të pasaktë të vendimit, të rikthejë bizneset e prekura në Shërbimin Universal, të rillogarisë faturat e periudhës së liberalizimit të paligjshëm dhe të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.
OEK paralajmëroi se, nëse ZRRE nuk ndërmerr hapa konkretë, do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të Rregullatorit, si person përgjegjës për pengimin e zbatimit të vendimit gjyqësor.