Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se është duke përgatitur një plan për mbi 630 mijë fëmijë në moshë shkollore dhe po punon për rindërtimin e mbi 90 klasave në Deir al-Balah dhe Khan Younis pas dy vjetësh pushim nga mësimi.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, theksoi se kufizimet e vendosura nga autoritetet izraelite për hyrjen e materialeve mësimore dhe furnizimeve edukative vazhdojnë të pengojnë punën e organizatës.
Ndërkohë autoritetet palestineze raportojnë se mbi 10 mijë persona janë të zhdukur nën rrënojat e Gazës, shkruan Aljazeera, transmeton Dukagjini.
Ahmed Radwan, përgjegjës për shtypin në Mbrojtjen Civile në Rafah, tha për Al-Aqsa TV se ekipet po përpiqen pa ndërprerje të gjejnë të zhdukurit, por mungesa e pajisjeve dhe materialeve mjekësore e pengon shpëtimin.
Ai shtoi se janë të nevojshme makina të rënda për nxjerrjen e trupave dhe akuzoi Izraelin se po synon qëllimisht ekipet e shpëtimit, duke shkelur ligjin ndërkombëtar.