Një operacion antidrogë ka shkaktuar kaos në Rio de Janiero të Brazilit pasi mbi 130 persona u vranë nga policia në luftën kundër bandave.
Operacioni më i përgjakshëm u zhvillua në favelat e Alemão dhe Penha, dhe synonte rrjetin kriminal Comando Vermelho (Komanda e Kuqe), fraksioni më i fuqishëm i trafikut të drogës në qytet.
Mbi 2,500 forca policore u angazhuan në aksionin më vdekjeprurës në historinë e konfrontimeve midis policisë dhe bandave.
Anëtarët e bandave u kundërpërgjigjën, duke përdorur dronë për të hedhur eksplozivë nga qielli, sipas imazheve të policisë. Vlerësimet e hershme nga zyra e avokatit publik të shtetit e vendosën numrin e viktimave në 132 persona, përfshirë katër oficerë policie, shkruan NYT, transmeton Dukagjini.
Trupat e burrave të vdekur ndodheshin në një rresht të vetëm, në trotuarin e një sheshi në periferi të Rio de Janeiro. Shumë prej tyre ishin zhveshur deri në të brendshme, thanë banorët, në mënyrë që të afërmit t’i identifikonin më lehtë. Të tjerë ishin të mbështjellë me çarçafë, të mbrojtur nga turmat dhe kamerat e gazetarëve dhe kalimtarëve.
Guvernatori Cláudio Castro, aleat i ish-presidentit Bolsonaro, e përshkroi operacionin si “luftë kundër narko-terroristëve”, ndërsa kërkoi ndihmë nga qeveria federale. Presidenti në detyrë Geraldo Alckmin thirri një mbledhje urgjente në Pallatin Planalto për të diskutuar ndërhyrjen ushtarake.
Ndërkohë, Rio de Janeiro është paralizuar, 45 shkolla të mbyllura, transporti publik në kaos, fluturime të pezulluara dhe mijëra qytetarë të bllokuar në rrugë.