Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion antidrogë të koduar “Delivery” në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar për përfshirje në shpërndarje të narkotikëve, si dhe ndalimin e një personi tjetër të dyshuar për krime kibernetike.
Sipas Policisë, hetimet fillestare kanë identifikuar dy persona të dyshuar për shpërndarje të marihuanës dhe kokainës në Prishtinë.
Më 25 mars 2026, rreth orës 14:00, gjatë një plani taktik në Veternik, të dyshuarit janë lokalizuar duke lëvizur me një veturë “Golf 8”. Ata kanë tentuar të ikin, duke rrezikuar sigurinë në komunikacion dhe duke u ndjekur nga njësitë policore në disa lokacione deri në Vushtrri, ku janë arrestuar.
Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe sekuestruar 2,221 gram marihuanë dhe 1.5 gram marihuanë e paketuar në cigare. Ndërkohë, gjatë rrugës së ikjes në fshatin Raskovë është gjetur edhe një paketim tjetër me 1,117.5 gram marihuanë, i hedhur dyshohet nga të dyshuarit.
Në koordinim me Prokurorinë, janë kryer bastisje në katër lokacione në Prishtinë, ku janë sekuestruar edhe 34.2 gram marihuanë, dy peshore digjitale, 4,045 euro, 40 funta dhe 40 franga, dy vetura dhe katër telefona mobilë.
Në një nga lokacionet është zbuluar edhe një hapësirë e modifikuar si “call center”, ku janë gjetur pesë laptopë. Për këtë rast janë përfshirë edhe njësitë e hetimit të krimeve kibernetike, ndërsa është ndaluar edhe një person tjetër, duke e çuar në pesë numrin e të arrestuarve.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet për rastin po vazhdojnë.