Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë mësuesit shqiptarë me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke theksuar rolin e tyre vendimtar në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Osmani ka thënë se 7 Marsi është festa e shpirtit të kombit shqiptar, i cili ka arritur të mbijetojë ndër shekuj falë gjuhës shqipe dhe përkushtimit të mësuesve.
Sipas Osmanit, shkolla shqipe ndër vite ka qenë një akt qëndrese, shpeshherë e zhvilluar në shtëpi, bodrume dhe në kushte sakrifice, sidomos në periudha të përndjekjeve ndaj shqiptarëve.
Presidentja theksoi se në kohë të vështira mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan, por e mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që synonte të jetonte i lirë.
“Që nga banka e parë e shkollës deri te universitetet, misioni mbetet i njëjtë – të rrisim breza që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë”, ka shkruar Osmani.
