Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit akuzoi Turqinë se nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor, pas mbërritjes në Kosovë të mijëra dronëve kamikazë “Skydagger”, të blerë nga kompania turke “Baykar”.
Osmani ka thënë se Vuçiqi po e sulmon “pa turp” presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe shtetin turk, pikërisht në ditën kur ish-presidenti amerikan Donald Trump e ka vlerësuar Erdoganin për lidershipin e tij në promovimin e paqes dhe sigurisë globale.
“Jam krenare që kam punuar ngushtë me presidentin Erdogan, një njeri i fjalës, i cili gjithmonë ka treguar kujdes të thellë e të sinqertë për njerëzit e rajonit tonë dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë. Ndërkohë, Vuçiq duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia, ashtu siç kërcënon vendet fqinje. Në vend që të bashkëpunojë me shtetet anëtare të NATO-s, ai zgjedh bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, Kinën dhe Iranin,” ka shkruar Osmani.
Osmani ka falënderuar në gjuhën turke presidentin Erdogan dhe popullin e Turqisë për mbështetjen ndaj Kosovës.
“Faleminderit që na ndihmoni të mbrojmë kauzën tonë dhe që gjithmonë qëndroni me popullin e Kosovës. Le të mbetet e fortë lidhja jonë e fortë”, ka përfunduar ajo.