Osmani kërkon nga Abazoviq mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të cilit i ka kërkuar përkrahjen nga Qeveria e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Vjosa Osmani dhe Dritan Abazoviq, më 30 maj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përkrahjen e Qeverisë së Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata ndërkombëtare në përgjithësi.

Në margjina të Samitit të Demokracisë së Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Mal të Zi, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në këtë takim, Osmani dhe Abazoviq kanë diskutuar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësitë për avancimin e mëtutjeshëm të tyre, raporton Zyra e Presidencës, transmeton Portali D.

Më tej, e para e shtetit, ka thënë se Kosova e vlerëson dhe e përkrah bashkëpunimin me Malin e Zi në të gjitha fushat, duke theksuar edhe mundësinë për shkëmbim të përvojave për procesin e integrimit evropian.

Osmani dhe Abazoviq theksuan edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit e me këtë rast.

Presidentja potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërtuar mbi premisat e barabarësisë dhe gjithpërfshirjes, si dhe faktin se Kosova përkrahë vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit.

Ndërlidhur me zhvillimet në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë, dy liderët diskutuan edhe për rëndësinë e vazhdueshme të koordinimit të veprimeve me Bashkimin Evropian në raport me agresionin rus në Ukrainë.

Për takimin bilataral me Osmanin, ka shkruar edhe kryeministri i Malit të Zi, Abazoviq.

I pari i Qeverisë së Malit të Zi ka thënë se me Presidenten e Kosovës kanë diskutuar për projektet e përbashkëta në fushën e ekonomisë.

“Detyra e përbashkët e Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës është që në periudhën e ardhshme të konkretizojnë projekte me interes të përbashkët në fushën e ekonomisë dhe transportit. Ishte kënaqësi të bisedoja sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjina të Samitit të Demokracisë në Evropën Juglindore, Budva”, ka shkruar Abazoviq në rrjetin social Twitter.

Ndërkaq, gjatë një diskutimi të panelit në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore që po mbahet në Mal të Zi, Abazoviq ka thënë më 30 maj se një pjesë e shoqërisë së Malit të Zi e kundërshton “Ballkanin e Hapur” për shkak të rolit të Serbisë në këtë nismë.

Ndaj komentit të Abazoviqit ka reaguar edhe Osmani, e cila k athënë se Kosova kundërshton nismën “Ballkani i Hapur”, duke këmbëngulur në atë që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht, si shtet i pavarur brenda cilitdo proces, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

Osmani, ka shtuar se “në qoftë se nuk e mësojmë këtë leksion nga e kaluara, nuk do të jemi në gjendje që të ecim rrugës së drejtë në kohën kur po ballafaqohemi me luftën në Ukrainë”.

Abazoviq pas takimit me Osmanin: Do të konkretizojmë projekte me interes të përbashkët në ekonomi e transport

Shija e redaktorit

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Dita e fundit e Panairit të Librit në Tiranë, “Dukagjini”...

Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia Botuese Dukagjini ka rrëmbyer vëmendjen e vizitorëve...

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Të fundit nga rubrika