Osmani: Kosova duhet ta ketë draftin e saj për Asociacionin, jo të një ekipi menaxhues që kontrollohet nga Vuçiq

"Pritjet e mia janë që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj, nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashquajtur ekip menaxhues, që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave", kështu ka deklaruar presidentja Osmani në lidhje me takimin në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në akademinë përkujtimore për masakrën e 2 majit në fshatin Studime të Vushtrrisë, ka kërkuar që autorët që kanë kryer krimin të sillen para drejtësisë.

“Jemi këtu për të përkujtuar një prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë. Do t’i kujtojmë përjetë viktimat e do të bëjmë çmos që autorët të dalin para drejtësisë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se kjo masakër duhet të jetë përkujtim edhe për partnerët ndërkombëtarë e të kuptohet se kush ka qenë agresori dhe kush kanë qenë viktimat.

“Në mesin e të vrarëve ka fëmijë, gra, këtu dëshmohet egërsia e agresorit”.

Ndër të tjera, presidentja Osmani është pyetur për takimin në Bruksel, ku sonte do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Ajo ka thënë se trajtimi i çështjes së të zhdukurve me dhunë në këtë takim është një hap i rëndësishëm në dialog me Serbinë, pasi Serbia do të detyrohet t’i hapë arkivat ku gjenden dëshmitë e mbi 1600 të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

E para e vendit ka thënë se nëse nënshkruhet kjo deklaratë sot, për të cilën, janë dakorduar atëherë partnerët ndërkombëtarë, duhet të sigurohen që Serbia të zbatojë atë edhe në terren.

“Çështja e të zhdukurve me dhunë është pika e parë e agjendës nga ajo që u prezantua në BE. Është hap i rëndësishëm në dialog me Serbinë, do ta detyrojë Serbinë t’i hapë arkivat, K, gjenden dëshmitë e mbi 1600 të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi shumë dyshime në atë se çfarë do të zbatojë Serbia, shpresojmë se pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët, e cila nëse nuk bllokohet nga Serbia, do të përfundojë sot, duhet që partnerët tanë të sigurohen që çdo gjë të zbatohet në terren”, ka thënë presidentja.

Ndërsa, sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ajo ka thënë se Kosova duhet ta ketë draftin e saj, pasi nuk guxon ta lejojë një draft të një ekipi menaxhues që kontrollohet nga Vuçiq.

Sipas saj, ky draft nuk duhet të bëhet bazë e negociatave, por drafti i hartuar nga Republika e Kosovës, që sipas saj, është në përputhje me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimin e shkruar të ShBA-së.

“Pritjet e mia janë që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj, nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashquajtur ekip menaxhues, që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë  e negociatave, ta kemi draftin tonë që është në përputhje të plotë me Kushtetutën, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, me qëndrimin e shkruar të ShBA-së, dhe siguron që nuk preket territorialiteti dhe integriteti i shtetit”, ka vijuar ajo.

Sipas saj, ekipi aktual nuk është ekip që përfaqëson interesat e Kosovës dhe nëse prezantohet ai draft, sipas saj, do të jetë draft apriori i papranuar nga Kosova.

“Është ekip i cili nuk është ekip që përfaqëson interesat e Kosovës, do të jetë draft apriori i papranuar nga Kosova, duhet ta ketë draftin e saj në përputhje me kushtetutën e Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Shija e redaktorit

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Të fundit nga rubrika