Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ritheksoi se Serbia vazhdon të mbështesë terroristët përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Milan Radojqiqin, të cilët ende nuk i janë dorëzuar drejtësisë.
Ajo theksoi se llogaridhënia për sulmin terrorist, si dhe për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, është thelbësore për stabilitetin dhe parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.
Këto deklarime ajo i bëri në takim me kongresistët amerikanë republikanin Michael Turner dhe demokratin Donald Norcross, ku diskutuan edhe zhvillimet e fundit në vend dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Siç ka njoftuar Presidenca, Osmani shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e ngushtë me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen bipartizane të SHBA-ve ndaj Kosovës.
“Asnjë nga arritjet tona, nga liria dhe pavarësia, deri te zhvillimi i demokracisë, nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen amerikane”, theksoi ajo.
Presidentja ka theksuar se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë, e përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të partneritetit me SHBA-të.
Ajo foli gjithashtu për bashkëpunimin me administratën e mëparshme amerikane në fusha të ndryshme me interes të dyanshëm.
Sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes, Osmani ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet imperativ strategjik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe paqen në Evropë.
Ajo theksoi se ushtarët e FSK-së shërbejnë tashmë pranë forcave amerikane në misione ndërkombëtare, ndërsa Kosova ka vendosur të shpenzojë 2% të GDP-së për mbrojtje, me synim që kjo të dyfishohet brenda disa viteve.
Presidentja Osmani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e prezencës amerikane në kuadër të KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.
Kosova nuk ka pas e as nuk do të ketë qeveri antiamerikane, thotë Osmani