Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar deklaratën e saj të bërë gjatë një interviste për Politico, ku ishte interpretuar se Kosova kishte çmontuar “900 banda kriminale” në pesë vjet.
Ajo theksoi se deklarata ka qenë rezultat i një keqkuptimi teknik dhe se bëhej fjalë për numrin e rasteve ku grupet kriminale serbe kanë qenë të përfshira, e jo për numrin e bandave në veri të vendit.
Osmani tha se menjëherë pas intervistës është dhënë një sqarim zyrtar dhe se redaktimet e nevojshme janë bërë në kohë, për të shmangur interpretimet e gabuara.
Sipas saj, as Politico dhe as mediat ndërkombëtare nuk e kanë publikuar atë pjesë të deklaratës, pasi korrigjimi është bërë para publikimit final.
“Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve, sepse, siç e kemi thënë edhe më herët, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si dhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it.
Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të përfshira në krime. Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as Politico nuk e ka përdorur atë pjesë. Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”, ka thënë Osmani.