Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përkujtuar Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Istogut, duke nderuar jetën dhe veprën e luftëtarëve të rënë për lirinë e vendit.
OVL-ja thekson se dëshmorët e kësaj komune, të rënë nën emblemën e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, dhanë gjithçka për çlirimin e Kosovës, njofton Dukagjini.
Mes tjerash, OVL-ja vlerëson se dëshmorët e luftës çlirimtare janë udhërrëfyes për brezat e rinj dhe se kujtimi për ta do të mbetet i përjetshëm.
“Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Istogut, OVL UÇK me respekt dhe përulje nderon jetën dhe veprën e heronjve të kësaj komune, të cilët ranë nën emblemën e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, duke dhënë gjithçka për lirinë e vendit. Sakrifica e tyre është gurthemeli i shtetit tonë dhe dëshmi e përjetshme e qëndresës dhe vendosmërisë për liri. Dëshmorët e rënë gjatë luftës tonë çlirimtare mbeten udhërrëfyes për brezat që vijnë, ndërsa kujtimi për ta nuk do të zbehet kurrë. Lavdi!”, thuhet nga OVL-ja.
