Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka mbajtur sot tri seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit dhe keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar në këtë komunë.
Siç bëhet e ditur në njoftim, gjyqtarët e procedurës paraprake kanë vendosur që ndaj katër të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S. dhe H.P., të caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më 28 shkurt 2026.
Sipas vendimit të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se secili prej tyre ka kryer veprën penale “falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndërkaq, ndaj të pandehurit N.B. është caktuar masa e paraburgimit për një muaj, po ashtu deri më 28 shkurt 2026, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 i Kodit Penal, për moskryerjen me dashje të një detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj.
Gjykata ka theksuar se vlerësimi përfundimtar i këtyre fakteve do të bëhet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Siç bën të ditur Gjykata, këto vendime janë vazhdimësi e rastit të trajtuar më 24 janar 2026, kur ndaj 23 të pandehurve të tjerë ishte caktuar masa e paraburgimit për vepra penale kundër të drejtës së votimit.
