Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve M.B., A.L., A.B. dhe Sh.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Ndaj të pandehurit A.B. rëndon gjithashtu dyshimi për veprën penale mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda, Fitore Krivanjeva Daci, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartcekura.
Sipas aktvendimit të gjykatës, më 12 dhjetor 2025, rreth orës 17:15, të pandehurit dyshohet se kanë poseduar pa autorizim substanca narkotike me qëllim shitjeje. Dyshohet se M.B. dhe A.L. kanë sjellë në Republikën e Kosovës substancë narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 4.620 gramë, ndërsa më pas i pandehuri L.Z. ka kontaktuar me A.B. dhe Sh.B., duke i udhëzuar që substanca të dërgohet në parkingun e “B.M.” në V., si dhe duke u dhënë detaje për veturën e personit që do ta blinte narkotikun.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit A.B., Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar pesë role të foljes plastike transparente, katër palë dorëza pune, dorëza llastiku ngjyrë të zezë, gërshërë dhe një lug metalik kuzhine, të cilat dyshohet se janë përdorur për paketimin e substancës narkotike.
Po ashtu, ndaj të pandehurit A.B. ekziston dyshimi i bazuar se, nga një datë e papërcaktuar deri më 12 dhjetor 2025, ka mbajtur pa autorizim një revole të markës “Glock”, prodhim austriak, kalibër 9 mm, me një karikator me fishekë, e cila është gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit policor.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit si të bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), duke caktuar ndaj të pandehurve masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij./KP