Paralajmëruan largim, deputetët e Listës Serbe ende nuk i dorëzojnë mandatet në Kuvend

Përfaqësuesit e Listës Serbe





Përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Megjithatë, deputetët e Listës serbe, përkundër paralajmërimit se do të japin dorëheqje nga pozitat të cilat i kanë ushtruar në institucionet e Kosovës, ende nuk e kanë bërë këtë.

Kështu ka bërë të ditur për Portali Dukagjini, Ilir Kërçeli, shefi i Kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Ende jo. Është veç deklaratë publike”, ka thënë Kërçeli.

Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Njoftimi vjen pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriutNenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.

“Kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka treguar se deri kur do të zgjasë bojkotimi institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb.

“Këto vendime do të mbesin në fuqi derisa Prishtina vazhdon të mos respektojë të drejtën ndërkombëtare, që i bie të kthejë prapa vendimin për regjistrimin, derisa të miratojë Asociacionin e Komunave”, ka thënë Goran Rakiq.

Reagimet e krerëve të institucioneve të Kosovës

Pas këtij vendimi, pati reagime të shumta nga krerët e institucioneve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën e pesë nëntorit, ka ftuar të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos i braktisin institucionet e Kosovës.

Ai e ka bërë këtë thirrje disa orë pas vendimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, që të largohet nga institucionet e Kosovës.

“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti në thirrjen drejtuar serbëve të Kosovës, duke i ftuar “që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë”.

“Nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje”, ka thënë Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës e ka konsideruar vendimin e Listës Serbe si kërcënim nga ana e Beogradit dhe përgatitje për destabilizim të Kosovës.

Edhe Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke shtuar se një frikësim i tillë nuk do të funksionojë, ka thënë se “me detyrimin e serbëve të Kosovës që të largohen nga institucionet Kosova, Serbia shkeli në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet e Brukselit, për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë”.

Po ashtu, ai ka deklaruar se detyrimi i serbëve të Kosovës për t’u larguar, madje edhe përkohësisht, nga institucionet e Kosovës, sipas tij, duket të jetë një përpjekje e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për të minuar progresin dhe iniciativat e fundit në lidhje me dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Ndërkaq, që nga një nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në tri faza.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Kurti ka thënë se deri më pesë nëntor, autoritetet kanë lëshuar 843 letra qortuese dhe se nuk ka pasur asnjë incident gjatë procesit.

Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.

Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më një shtator.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika