Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot, rreth orës 12:30, është parandaluar një tentativë për futjen e substancave të dyshuara narkotike në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të gjësendeve të sjella nga një vizitor, zyrtarët korrektues kanë zbuluar një sasi të dyshuar narkotike të kamufluar në qese najloni, me peshë rreth 43 gramë.
Pas zbulimit, vizita është anuluar menjëherë, ndërsa vizitori është ndaluar në sallën e vizitave.
Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka marrë në posedim substancën e dyshuar dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me masa të rrepta kontrolli për të parandaluar futjen e materialeve të ndaluara në institucionet korrektuese.