Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar parashikimin e motit për këtë javë, duke bërë të ditur se do të jetë kryesisht stabile, megjithëse priten riga të lehta shiu dhe mjegull në mëngjes.
Temperaturat pritet të luhaten deri në 12 gradë Celsius, brenda vlerave mesatare për këtë periudhë të vitit.
Sipas IHMK-së, e hëna do të nisë me mot të vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 4°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë 5–8°C. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.
Nga e marta pritet përmirësim i motit, por në mëngjes nuk do të mungojë mjegulla. IHMK paralajmëron se të martën, të mërkurën dhe të enjten mëngjesi do të karakterizohet nga mjegulla, e cila mund të ndikojë në qarkullimin rrugor.
Instituti thekson se vendi do të ndikohet nga masa ajri me presion të qëndrueshëm atmosferik, duke kushtëzuar temperatura rreth vlerave mesatare dhe mot të qëndrueshëm gjatë javës.