Partia Socialiste vendos, kush do të jetë Presidenti i Shqipërisë?

Pasditen e së premtes në selinë e Partisë Socialiste mblidhet Kryesia, me qëllimin e dakordësimit për propozimin e një kandidati për president të Republikës së Shqipërisë

Partia Socialiste

I erdhi fundi edhe pritjes dymujore.

Pas tri raundeve të dështuara për propozimin e një kandidati për president të Republikës së Shqipërisë nga opozita, mazhoranca ka vendosur që ta marrë këtë çështje në dorë.

Pasditen e së premtes në orën 17:00 në selinë e Partisë Socialiste mblidhet Kryesia me qëllimin e dakordësimit për një “emër presidenti”.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, PS-ja do të bëjë publik emrin që do ta dërgojë në Kuvend për votim.

“Nuk duhet përjashtuar asnjë prej gjinive – me rëndësi të kemi president që të mishërojë më së miri vlerat e larta të integritetit publik dhe ato që përcakton Kushtetuta, i ndryshëm nga Ilir Meta”.

Kanë qenë këto kërkesat e përsëritura nga ana e PS-së teksa u drejtohej deputetëve, të cilët patën të drejtën për të propozuar tre emrat e tyre të preferuar.

Të gjithë deputetët e selisë rozë në një mbledhje të Grupit Parlamentar shënuan në formular propozimet e tyre.

Kriteri bazë – ashtu siç e parashikon edhe Kushtetuta – ishte që kandidati duhet të jetë mbi moshën 40 vjeç dhe të jetë rezident në Shqipëri në 10 vjetët e fundit.

Ndonëse emrat u shkruajtën dhe u dorëzuan në fshehtësi të plotë, mediat aluduan për figura të ndryshme të politikës, por jo vetëm.

Emrat e lakuar

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme dhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nuk është përjashtuar asnjëherë nga “lista e mundshme e kandidatëve”.

Kodheli u vendos e 21-ta në listën e kandidatëve të Tiranës në zgjedhjet e 2021-shit duke mos fituar, por lënia e mandatit nga Najada Çomo e riktheu atë në parlament.

Mimi Kodheli

Kandidatura e saj mund të mbetet vetëm një emër në media, pasi shpesh kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se emri nuk do të vijë nga grupi që ai drejton.

Edhe emri i ish-ministres demokrate të Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, nuk ka mbetur pas.

Bregu, e cila aktualisht është sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, është lakuar shpesh si “presidentja e ardhshme e Shqipërisë”.

Majlinda Bregu

Balla, vetëm një ditë më parë shprehu vlerësim tejet pozitiv për Bregun, duke theksuar se ndjente keqardhje që opozita nuk e propozoi.

Ndërkaq, ai nuk komentoi nëse e përjashton mundësinë e kandidimit të Bregut nga vetë PS-ja.

Një kandiaturë tjetër politike mund të jetë edhe Ditmir Bushati.

Një pjesë e strukturës së forcës së majtë politike dëshiron që në këtë post të vendoset ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Pra, vetëm një pjesë e vogël e tyre e kanë propozuar si emër konkret ish-deputetin.

Pjesa tjetër, ndërkaq, e cila përbën edhe shumicën, është kundër këtij mendimi, mbi kandidaturën e Bushatit për postin e kreut të shtetit.

Ndërkohë, në listën e të përfolurve ka pasur edhe figura jopolitike, ku spikasin emrat e Përparim Kalos dhe Ardian Dvoranit.

Ardian Dvorani

Ky i fundit ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë.

Ai madje është shpallur nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) si një nga 12 personalitetet më të spikatura në luftën kundër korrupsionit.

Edhe figura e Përparim Kalos vjen nga fusha e drejtësisë.

Përparim Kalo

Emri i tij u lakua kohë më parë, kur u tha se Dhoma Italiane e Tregtisë i kishte dërguar një letër Kuvendit me emrin e tij si kandidat.

Ish-kryeprokurorja, Ina Rama, ish-sekretarja e rinisë, Valdete Sala, kryediplomati shqiptar, Zef Mazi, përfaqësuesja e Shqipërisë në Unesco, Besiana Kadare edhe ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha “ia kanë dalë” që të lakohen përciptazi në listën e emrave për president.

Por do të jetë vetë Kryesia e cila do të përcaktojë të premten kandidaturën finale për të cilën do të votohet.

Siç ka paralajmëruart kryeministri Edi Rama, “zgjidhja është një njeri që përmbush detyrimet e shqiptarëve dhe për ta çliruar zyrën nga kthetrat e së shkuarës”.

Shija e redaktorit

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Të fundit nga rubrika