Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit ka hyrë në fazën e prezantimit të mesazheve kryesore, ndërsa partitë politike kanë publikuar slloganet me të cilat synojnë t’i drejtohen elektoratit.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë me slloganin “Siguri dhe begati. Mos lësho pe!”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të këmbëngulin në kërkesën për siguri, zhvillim dhe mirëqenie.

LVV thekson se synon forcimin ekonomik të vendit, mbështetjen e familjeve punëtore dhe garantimin e sigurisë së përgjithshme në çdo aspekt të jetës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zgjedhur slloganin “Bashkë. Përpara.”, të shoqëruar me mesazhin “Për të gjithë qytetarët. Për Kosovën”, duke u fokusuar në unitetin politik dhe ecjen përpara me një vizion të përbashkët për vendin.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka prezantuar slloganin motivues “Zgjidh shpresën”. Zgjedhni punën. Zgjedhni LDK-në.”, duke synuar të tërheqë votuesit përmes ofertës së stabilitetit, punës dhe rikthimit të besimit në institucione.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dalë me slloganin e shkurtër dhe emocional “Krah teje”, që synon të komunikojë afërsinë dhe mbështetjen ndaj qytetarëve në sfidat e përditshme.

Ndërsa Nisma Socialdemokrate ka vendosur të garojë me slloganin “me Fatmir Limaj”, duke e personalizuar fushatën rreth figurës së liderit të saj./Telegrafi/
