Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Kosova iu bashkua shteteve perëndimore në dënimin e agresionit rus dhe vendosi sanksione ndaj Rusisë, në shenjë solidariteti me popullin ukrainas.
Në kuadër të mbështetjes për Ukrainën, në qendër të Prishtinës ishte vendosur edhe një flamur gjigant i Ukrainës, i cili për rreth katër vjet qëndroi si simbol i solidaritetit të Kosovës me popullin ukrainas.
Flamuri është hequr të dielën nga qendra e qytetit.
Heqja e tij është publikuar në rrjetet sociale nga qytetarë, ndërsa ende nuk është bërë e ditur arsyeja zyrtare e largimit të flamurit.
Ndryshe, dje Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se qëndrimi i shtetit të tij për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur, nuk ka ndryshuar.
Nga Beogradi, në një konferencë për shtyp gjatë vizitës zyrtare, Zelensky është pyetur për çështjen e Kosovës. Ai ka thënë se e respekton integritetin territorial të Serbisë.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë. Ne e respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Ky është qëndrimi ynë. Sa i përket asaj që thatë për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, qëndrimi mbetet i pandryshuar. Gjithmonë e kemi theksuar këtë dhe se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar”, ka thënë ai, sipas mediave në Serbi.
Në këtë rast, Zelensky ka falënderuar Serbinë për “respektimin e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial, përfshirë Krimenë”.