PE miraton rezolutë për “polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi”

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë lidhur me polarizimin dhe represionin në Serbi, përmes së cilës mbështeti të drejtën e studentëve dhe qytetarëve për të drejtë paqësore. Kjo rezolutë po ashtu dënon ashpër valën e dhunës nga autoritetet, frikësimet dhe arrestimet e protestuesve.

Në rezolutën “për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, thuhet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.

Gjatë seancës plenare të mbajtur më 22 tetor, rezoluta u miratua me 457 vota për, 103 kundër dhe 72 abstenime.

Përmes rezolutës gjithashtu dënohen veprimet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet për organizimin e kampit me tenda në Parkun Pionier, si dhe përdorimi arbitrar dhe politikisht i motivuar i faljeve presidenciale për persona të ndjekur për dhunën ndaj studentëve protestues.

Ndër të tjera, thuhet se eurodeputetët mbështesin dërgimin e një misioni ad hoc për verifikimin e fakteve në Serbi, me pjesëmarrjen e Parlamentit Evropian, dhe i bëhet thirrje Komisionit Evropian të ndërmarrë një nismë për sanksione që do të shënjestronin personat përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Serbi.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë debatit të së martës, tha se Bashkimi Evropian pret që veprimet policore dhe sjellja gjatë protestave të jenë proporcionale dhe që të respektohen të drejtat themelore të njeriut.

“Prioritet është që të hetohen të gjitha pretendimet për përdorim të tepruar të forcës”, u shpreh Kos.

Ajo theksoi se Brukseli dënon çdo akt urrejtjeje, vandalizmi apo dhune gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet.

“Ne presim që vendet kandidate për anëtarësim në BE t’i respektojnë të gjitha vlerat që janë themeli ynë – respektin për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha Kos.

Ajo shtoi po ashtu se Serbia duhet të respektojë lirinë e tubimit, lirinë e medias dhe liritë akademike.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi gjatë debatit se rezoluta nuk përbën sulm ndaj Serbisë.

Ai vlerësoi gjithashtu se Evropa nuk e ka tradhtuar Serbinë, por se pushteti në Serbi i ka tradhtuar qytetarët e vet.

“Tragjedia në Novi Sad tregon se korrupsioni nuk është një krim i zakonshëm — korrupsioni shkatërron institucionet dhe merr jetë njerëzish”, theksoi ai.

“Kjo fatkeqësi pasqyron disa nga problemet kryesore strukturore në Serbi: përfshirjen jotransparente të aktorëve të huaj në projekt [për renovimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad], mungesën e kontrolleve që do të mundësonin përdorimin e objektit pasi standardet e sigurisë nuk janë respektuar, pengimin e hetimit dhe të pavarësisë së gjyqësorit pas tragjedisë, si dhe represionin ndaj qytetarëve që kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim”, vlerësoi raportuesi për Serbinë.

Për muaj të tërë, në Serbi po mbahen protesta të udhëhequra nga studentët, pasi nëntorin e vitit të kaluar, 16 persona vdiqën pas rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Protestuesit kërkojnë nga institucionet përgjegjësi politike dhe penale për këtë rast.

Ata besojnë se ka pasur korrupsion në projektin e rindërtimit të stacionit. Ndërkohë i kanë rritur kërkesat, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit...

Rreth 130 përfaqësues të 90 shteteve të ndryshme të botës do të qëndrojnë për disa ditë në Pejë. Kjo për shkak se Federata e Bjeshkatarisë...

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare...

Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës (FBNSK) shënon një moment historik duke pritur për herë të parë në Kosovë Asamblenë e Përgjithshme...

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Të fundit nga rubrika