Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe prej afër pesë vjetësh.
Ky shtet ishullor në kontinentin e Amerikës Veriore ka një popullsi prej më shumë se 400 mijë banorësh dhe ka sipërfaqe rreth 13 mijë e 900 kilometrash katror.
Duke e vlerësuar vit të suksesshëm në aspektin e njohjeve ndërkombëtare, ish ambasadori Avni Spahiu theksoi se, edhe pse nuk bëhet fjalë për një shtet të madh, lidhja e marrëdhënieve diplomatike me Bahamet është e rëndësishme.
“E konsideroj si lajm shumë të mirë diplomacinë e Kosovës, për shtetin e Kosovës, tani kemi 121 vende që kanë njohur Republikën e Kosovës dhe ky është një numër optimal, i cili do të mjaftonte edhe për anëtarësim në Kombet e Bashkuara po të mos ishte vetoja Ruse”, ka thënë – Avni Spahiu, Ish-ambasador.
Pasi përmendi rëndësinë e njohjeve të këtij viti, veçmas në raport me ndikimin që mund të kenë në rajonet dhe kontinentet përkatëse, ish-ambasadori theksoi nevojën e përqendrimit në Evropë me zhbllokimin e proceseve integruese.
“Mendoj se tani do të duhej që diplomacia jonë të ri-fokusohej në pesë shtetet jo-njohëse të BE-së, që paraqesin sot një bosht mjaft të rëndësishëm, i cili me çdo kusht duhet të thyhet, duhet të thyhet në mënyrë që nga këto vende të kemi të paktën dy që njohin Kosovën”, ka thënë Avni Spahiu, Ish-ambasador.
Paraprakisht këtë vit, Kosova pati edhe tri njohje të tjera: në Mars nga Kenia, në Prill nga Sudani dhe në Tetor nga Siria.
Para këtyre njohjeve, e fundit ishte ajo nga Izraeli bazuar në marrëveshjen e 4 Shtatorit 2020, në Shtëpinë e Bardhë.