Revolta e Syzifit, e autorit Bardhyl Mahmuti, është një romaman dokumentar për të cilin personalisht do të kisha rekomanduar që personat nën moshën 16 vjeç, të mos kenë të drejtë ta lexojnë. Kjo është hera e parë në jetën time që rekomandoj (një moshë) për të mos lexuar. Këtë rekomandim e bëj për të vetmin qëllim që ata të mos lexonin diçka aq të tmerrshme që u kishte ndodhur bashkëmoshatarëve të tyre e disa edhe më të rinjë se ta, (foshnje gjashtë muajshe).
Është një roman, që me shumë kujdes paraqet trajtesa edhe në mes të ngjarjeve që rrëfente personazhi kryesor. Paraqet probleme të cilat nuk ishte dashtë të ndodhnin, ose do të duhej të ndodhnin ndryshe nga ç’kishin ndodhur. Këto trajtesa, nga autori i librit paraqiten me mjaft mjeshtëri shkrimi, të cilat për lexuesin ndihen në formë të monologut. Shpeshherë këto trajtesa ishin me ndjenjën e revoltës, ndonëse gjatë bashkëbisedimit nuk dëshironte të ndërpritej rrëfimi.
Fadil Muqolli nga fshati Poklek i Vjeter ishte personazhi dhe rrëfimtari kryesor në këtë libër për një shtëpi kremator. Autori, në mënyrë të shkëlqyer paraqet gjendjen e rëndë shpirtërore të tij, me emrin romantiko-dokumentar, Syzifi. Autori e quajti me këtë emër (siç thoshte) ngase “…disa në konferencë e cilësuan si punë Sizifi angazhimin e tij për njohjen ndërkombëtare të krimit të gjenocidit…” Sqarim: Syzif vjen nga mitologjia greke ku me këtë emër njihej mbreti i Korinthit i i dënuar nga perënditë për të shtyrë një gur të madh drejt një pikë më të lartë të një mali, por sa herë që arrinte afër majës, guri rrokullisej sërish poshtë. Në këtë mënyrë duhej të përsëriste pa fund. Pra “punë Sizifi” d.m.th, punë shumë e mundimshme që përsëritet dhe nuk përfundon kurrë. Ky i fundit pra, Fadil Muqolli – Syzifi, përkundër gjendjes së tij të rëndë shpirtërore dhe emocioneve që tanimë këto vuajtje ishin bërë pjesë e pandashme në jetën e tij, ishte i përgaditur për fjalimin e tij, që u mbajt në Tiranë, në vitin 2015 për masakrat dhe aktet e krimit të gjenocidit në Kosovë gjatë luftës së fundit, të vitit 1998/99.
Në konferencë, flitet për masakrat anë e kënd në Kosovë, sikurse edhe në rastin e veçantë të Poklekut të Vjetër, për të cilën do të fliste Syzifi me shumë saktësi dhe me plot argumente. Këto në fakt ishin krime të cilat kualifikohen me të drejtë si krime të gjenocidit. Koncepti i luftës në përgjithësi paraqet një gjendje jo normale. Ndërsa aktet e rënda kriminale që kanë ndodhë në shqiptarë të pa armatosur duke filluar nga fëmijët e moshës 6 muajsh e deri te pleqët e moshuar, dhe format e ekzekutimit të tyre, paraqesin një gjendje të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme, përveç në rastet të krimit të gjenocidit. Më tej në këtë roman dokumentar, paraqiten;
Tendenca e ambasadorit rus për demantimin e fakteve të paraqitura nga autori i librit dhe demantimin e kësaj tendence me fakte të grumbulluara nga autori. Në këtë kontekst, vjen edhe pyetja e ambasadorit në fjalë, për deklaratën e ish-ministrit të drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuqi, ku në një nga mediet në Kosovë, pati deklaruar se “… tash po jam i drejtpërdrejtë, për krime lufte nuk do ta kisha dënuar asnjë…”! Duke u bazuar në këtë deklaratë të cilën e citon ambasadori rus dhe të cilën ua dëshmoj përmes platformës sociale “YouTube”, aludonte se duhet të falim tërë atë krim gjenocidal që ka ndodhur, bile as pa kërkuar falje pala shkaktuese, sepse siç ishte dëgjuar nga një zyrtar i juaj (siç kishte thënë ai) kjo më tani kishte ndodhur se duhet shikuar nga e ardhmja. Kjo ishte diçka tepër e sikletshme për autorin dhe për protagonistin kryesor të romanit. Ishte e sikletshme. Vetëm një përgjigje me gjakëftohtësi, mundi t’i nxirrte disi nga kriza këta të dy.
Ishte bukur do me thënës edhe tregimi i Syzifit, që kishte dëgjuar në një nga odat e Drenicës. Këtë tregim ia tregoi autorit, gjatë rrugëtimit Tiranë-Poklek i vjetër.
“Dy nga familjet e një fshati në Drenicë, ishin në bela. Një ditë mashkujt e tyre takohen në të njëjtin vend. Aty fillon serish ngatërresa mes tyre. Mirëpo njëra nga familjet e kishte pasur një mashkull geman (me shikim të shtrembër). Kur donte të godiste palën kundërshtare, nuk shikonte mirë dhe e godiste vëllanë e vet. Dikur bërtiti vllai i goditur, të tjerë vllazërve; Ooo largom këtë tonin se na sakatoj, e për këta të tjerëti ndreqi vet”.
Ky tregim nga Syzifi, në raport me situatën e krijuar mes ambasadorit rus dhe deklarimit të Ministrit të Drejtësisë së Kosovës, ishte krahasim brilant. Jo rrallë, te spektri politik në Kosovë, rastisin gabime të tilla. Andaj duhet të mendohet tri herë, para se të nxirret fjala njëherë, sepse siç thotë populli, fjala duhet të zë vend. Në këtë rast duhet të mendohet shumë gjatë, si për nga ana e kohës së kaluar, ashtu edhe nga e kundërta e saj, pra nga ana e kohës së ardhme. Mirëpo si do qoftë, krimet të cilat i kanë përjetuar familjet tona, nuk ka të drejtë as shteti t’i falë e lëre më individët, cilëtdo qofshin ata. Krimet e ndodhura kërkojnë drejtësi. Ajo duhet të flasë dhe të nxjerrë verdikte mbi to. Dhe nëse nuk ndodh kjo gjë, apo ndodh e kundërta (sipas deklarimit të ish ministrit të drejtësisë), i bie me automatizëm që të pajtohesh me ato krime, ose në rastin edhe më të keq, i bie të bësh krim mbi viktimën e krimit.
Rrëfimet e Syzifit, të vërteta të ndodhura, e bëjnë shumë të shkurtër rrugën e gjatë që rrugëtonin së bashku. Përpjekjet titanike për të siguruar gjurmët e krimit të gjenocidit në mënyrë që të mos humbasin, ishin me plot rreziqe. Këtë e bënë Syzifi me të tjerët duke ditur mirë se për çka rrezikonte, çfarë peshe me interes kombëtar ishte ruajtja e shenjave dhe dëshmive të tyre. Në përpjekje për ruajtjen e tyre, bënë edhe rezistencë të armatosur derisa arritën t’i siguronin në një pyll.
Të mbledhësh copa, e copëza eshtrash, e hirin e më të dashurve të tij, paraqet një përpjekje titanike për dëshminë e gjenocidit të ndodhur, krahas vuajtjeve dhe përjetimeve shpirtërore të paimagjinueshme. Këso raste nuk besoj të kishin ndodhur as në Ruandë. Dhe krahasimisht me këtë vuajtje shpirtërore, Syzifi sakrifikon për shpëtimin e dëshmisë së krimit, është një diçka e papërsërishtshme deri në atë kohë. Siç thoshte edhe vetë; është tepër e rënd o shoq, ta ruash rezultatin e një krimi. Por ideja ishte që të ruhen dëshmitë e fatkeqësisë e cila i kishte ndodhur, ashtu sikur shumë raste tjera të ngjashme në Kosovë. Në këtë mënyrë do të ruhet kujtesa kolektive e popullit se me çfarë çmimi është paguar liria dhe pavarësia e vendit. Siç thoshte edhe vet ai, “…liria nuk i ka rrënjët në gjak, por në ndjenjat e vuajtjes shpirtërore e të derdhjes së tij”.
Arritja e strehimit të mbetjeve mortore të karakterit krematorial, ishte një akt shumë i lartë i cili të jep me kuptosh diçka shumë madhore. Të jep të kuptosh se kjo familje është e fortë, është e vendosur dhe se nuk ka çmim të cilin e ndalon për të mirën e vendit të tyre. Të jep të kuptosh se edhe në raste të fatkeqësisë familjare, di ta ruajë arsyen, nuk lejon që të ndodhë çmendia. E sfidon këtë të fundit me mjaft sukses. Po aq madhore bëhet kur i sigurojnë këto mbetje mortore për të mos i zhdukur forcat policore dhe ushtarake serbe sa që Syzifi ndien gëzim që arrit ta kryejë këtë punë. Dhe e keni idenë se çka d.m.th kjo!? Të ndjesh gëzim në raste të tilla?! Kjo pra e justifikon atë që u tha më lart. Duhet të jesh tepër njeri i fortë dhe me një qëndrim dhe bindje të jashtëzakonshme për atë se çka po bën. E shihni pra, fatkeqësia familjare në pikën më të lartë të mundshme, dhe në mesin e saj, ta gjesh një fije gëzimi. Është e paimagjinueshme, e pa prësëritshme. Përpjekjet që bëri Syzifi janë të njëjta sikur të përpiqesh ta gjesh gjilpërën në mesin e oqeanit. Ishte punë Sizifi që e dënoi fati dhe Serbia.
Ky roman ka përplot ngjarje e dëshmi të tmerrshme e rrëqethëse. Ekzekutimet që kishin bërë, vetëm pse ishin shqiptarë, dhe atë pa përjashtime të moshave, ishin nga aktet më makabre dhe saktësisht, barbare. U bënë vrasje, djegie, hedhje në lumë e në puse (bunare) për së gjalli dhe prerje të kokave. Këto ngjarje (gjatë leximit) të fusin në brendi të tyre. Të bën të përjetosh ndjenjën e dhimbjes. Unë si lexues, i tëri isha brenda kopertinave të tij. I tëri i zhytur në rrëfimin e Syzifit. Këtë e vërejta gjatë ndërprerjes për pak pushim që bëra në lexim. E vërejta veten, sa herë që kërkonte Syzifi dhe autori të pinin nga një cigare, ma kërkonte shpirti edhe mua një. Aty e vërejta se isha në sinkron shpirtëror me ta. Të gjitha mënyrat e krimit të gjenocidit të cilat kanë ndodhur në Ruandë, kishin ndodhur edhe në Kosovë. Mënyrat e ekzekutimit dhe qëllimit nuk ndryshuan. Atje vrasje e varreza masive, këtu vrasje e varreza masive. Atje vrasje e hedhje në lum, e njëjta këtu. Atje mosrespektim i moshave dhe gjinive, këtu e njëjta. Atje dhunime, këtu e njëjta. Atje dëbime, këtu dëbime. Atje djegie dhe shkatërrime, këtu djegie dhe shkatërrime.
E vetmja që ndryshon është puna e Sizifit, që bën përpjekje titanike për ruajtjen e dëshmive të gjenocidit. Ndërsa për punën e autorit të këtij libri, e krahasoj me shkrimet e studentes Immaculee IIibagiza. Kjo e fundit, ishte e mbijetuara e masakrave të gjenocidit në Ruandë e cila ishte fshehur 91 ditë në një banjë të vogël të një pastori, pasi që ia kishin vrarë familjen. Pas luftës ajo bëhet autore e librit “Left to Tell” (Mbetet për tu Treguar), ku përshkroj tmerrin në Ruandë, që më vonë u morën si bazë për hetimin krimit të gjenocidit nga Prokuroria e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Dallimi eventual mes autorve “Revolta e Syzifit” dhe “Left to Tell”, qëndron se autori Mahmuti, dëshëmon me fakte krimet dhe kërkon drjetësi në tokë për to. Ndërsa e dyta Immaculee IIibagiza e gjenë forcën shpirtërore te zoti, deri në nivelin e faljës së kriminelëve.
Veprimet që bënin serbët nuk kishin të ndalur, tani edhe për zhdukjen e gjurmëve të krimit të gjenocidit. Fillonin t’i zhvarrosnin ata që i ishin të varrosur, edhe aty ku kishin bërë shkrum e hi, të merrnin ato mbetje mortore dhe t’i linin pa varre. Ata sikur e kishin kuptuar tërë atë egërsi që kishi bërë dhe nuk u mjaftonte. Për ta çuar deri në skaj këtë krim, ishte dashur që të mos linin gjurmë. Në këtë mënyrë ata donin ta finalizonin egërsinë e tyre duke bërë shpërblimin e krimit që kishin bërë me zhdukjen e dëshmive.
Hipokrizia dhe ironia në raport me krimet e bëra, qëndron në rrëfimin kur Syzifi tregon dokumentin se gjykata penale e drejtësisë, kishte bërë ekspertizën e saj ku tregonte se kjo gjykatë për krimet në ish-Jugosllavi, është në dijeni të shkaqeve të vdekjeve, por ato nuk bëhen publike për shkaqe të politikës së saj. E si mund t’i thuhet kësaj drejtësi, ku kriminelët dhe krimi duhet të mos bëhen publike, për shkak të çështjeve politike të drejtësisë. Çka ka të bëjë profesionalisht drejtësia me këtë gjë. Është një absurd që më së paku ishte dashur të ndodhte nga drejtësia…., (mbetesh i pa gojë!, (no comment)) !!! Për ta dëshmuar këtë ironi të gjykatës, autori përmend se; në aktakuzën kundër Millosheviqit, askund nuk përmendet masakra e Poklekut të vjetër. Akoma më shumë. Carla Del Ponte, kryeprokurore në gjykatën penale të drejtësisë për ish-Jugosllavinë, përmend dhunën seksuale në Ruandë si akt/krim të gjenocidit. Kurse të njëjtat akte në Bosnje, Kroaci dhe në Kosovë, i quan krime të luftës.
“Përkujdesja dhe jo profesionalizmi” në kuptimin e restaurimit të shtëpisë-kremator, nga njerëz gjithsesi të pavetëdijshëm, por edhe nga intitucione të pa vetëdijshme dhe të papërgjegjëshme, ishte edhe krim që sapo kishte filluar të ndodhte. Lyera me llaq, dhe pastrimi nga tymi i zjarrit, e mbulimi i gjurmëve të gjakut jo vetëm që paraqitet si mundësi për harresë, por unë do të kisha thënë se; mbulesa e gjurmëve me llaq, është harresë, e harresa të bën të ndihesh sikur të mos kishte ekzistuar fare kjo masakër, ky krim gjenocidi. Këtë ndoshta nuk e bënë se kishin dëshirë ta bënin për t’i mbuluar gjurmët e krimit, por nga padituria. Këta njerëz e institucione që kishin marrë mundin që gjoja në emër të një përkujdesjeje isntitucionale të bënin diçka të mirë, ishte dashur ta dinin se mënyra të tilla të përkujdesjes ishin hiq më pak se përkujdesje për t’i harruar ata. Përkujdesja e mirëfilltë është që gjurmët e krimit të jetonin përjetësisht. Këtë e aludonte edhe Syzifi. Në popullin tonë përdoret një thënie filozofike me mjaftë kuptim; “njeriu më shumë duhet të din, se sa nuk din, se sa të din çka din”.
Sfidat që përjetoi Syzifi nuk kishin të ndalur. Përballja me padrejtësinë e radhës ku përkthyesi i përfaqësuesit të NATO-s, shifrën e fëmijëve të djegur e jep gabim. Në vend se të përkthente njëzetegjashtë (26) fëmijë të djegur, në shtëpinë kremator, ai e përkthen gabim në dhjetë (10). Reagimi i Syzifit nuk mungon. Por justifikimi ishte i padrejtë dhe për keqardhje. Disa nga institucionet kishin thënë se ishte një gabim i paqëllim gjatë përkthimit, por nuk bënë të demantohet apo të korrigjohet për shkak se përfaqësuesi i NATO-s, del jo mirë para qarqeve ndërkombëtare. Në këtë rast i bie që edhe 26 fëmijët e djegur duhet të bënin kompromisin e tyre, për të mos dal jo i saktë përfaqësuesi i NATO-s në Kosovë. Përkthyesi, (me apo pa qëllim) bëri një mohim 16 fëmijëve tjerë të djegur.
Arka e mortit e 20 nënave dhe 31 bijve dhe bijave të tyre ishte një rast unik, që nuk kishte ndodhur ndokund më parë. Për shkak të pamundësisë për të identifikuar pjesët e eshtrave të tyre veç e veç, ndonëse hiri ishte i përzir, u detyruan të bënin një arkë të përbashkët morti për t’i vorrosur deri në ndërmarrjen e masave në të ardhmen për ti identifikuar më saktësisht se cila pjesë i takon secilit emër.
Edhe deklarimi i përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, francezi Bernard Kouchner kishte alarmuar botën se çka kishte ndodhur realisht në Kosovë. Vetëm thënia e tij që mjekët ligjorë thonin se “krimi dallohej edhe nga era e mishit të djegur”, ishte e qartë se kishte shenja të krimit të gjenocidit, sepse të gjithë të djegurit i takonin përkatësisë shqiptare.
Autori Bardhyl Mahmuti, në pjesën e parafundit të librit, gjatë bisedimit dhe shoqërimit të Syzifit, paraqet, rastet e përtëritjes së familjes Muqolli të Poklekut të Vjetër. Kjo pjesë pra në këtë roman, i ofron lexuesit, përveç se një realiteti të ri të krijuar edhe një freski shpirtërore, që kësaj familjeje i jep jetë të sërishme. Edhe natyra nuk ka dashur që të shuhet e tëra. Është shumë e rëndësishme që dikush, nga kjo familje shpëtoi, e që hoqi të zitë e ullirit për t’i ruajtur dëshmitë e krimit. Ai fatkeqësisht nuk shpëtoi për t’u knaqur e shijuar ëmbëlsinë e jetës. Ai pati fatin të rikthente gjumzhimën e fëmijëve si dikur, por (dihet) me shpirt të lënduar përjetësisht.
Dhe krejt në fund. Kur shikon albumin POKLEK I VJETËR NË “SHTËPINË KREMATOR” 17 PRILL 1999, duhet të jesh bukur i fortë për nga emocionet. I sheh ato fytyra të njoma, akoma pa mbushur raftet e para të memories së tyre, me lojërat fëmijërore. Shiqimi i tyre i pafajësisë, sikur të thërret që t’u dalësh në ndihmë, për ta vazhduar jetën e tyre të mbushur me ëndrra fëmijrore. Do si do, të vjen nëma që buron nga themeli i shpirtit për ata të cilët krijuan këtë krim të shkallës më të lartë, që njeh historia njerëzore – Krim i gjenocidit.