Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), ka bërë të ditur se situata me vërshimet në Kosovë ka shënuar përmirësim të ndjeshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.
Sipas AME-së, bazuar në të dhënat nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësitë në terren, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bjerë dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.
Në njoftim thuhet se gjendja në komunat e prekura nga përmbytjet ditëve të fundit është përgjithësisht stabile.
Në Prishtinë dhe rrethinë janë raportuar vërshime të lokalizuara në disa nënkalime dhe bllokime të rrugëve dytësore, por situata mbetet e menaxhueshme. Në Prizren, gjatë natës janë regjistruar pak intervenime, kryesisht të natyrës teknike.
Në Mitrovicë situata vlerësohet kryesisht e qetë, ndërsa në Mitrovicën e Jugut disa familje janë evakuuar përkohësisht si masë sigurie.
Në rajonin e Pejës janë raportuar dy intervenime në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje, ndërsa në komunat e tjera gjendja është stabile. Edhe në Gjakovë dhe Gjilan situata raportohet e qetë, me rënie të nivelit të ujit në lumenj.
Megjithatë, AME paralajmëron se reshjet e borës dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa zona të vendit.
Sipas njoftimit, disa rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut, ndërsa ekipet relevante mbeten në terren për monitorim dhe intervenim sipas nevojës.