Gara kryesore e ndër më të nxehtat në gjithë fushatën gati dy mujore – ajo e Prishtinës, është përmbyllur mbrëmë me rikonfirmimin e qeverisjes së Përparim Ramës nga LDK-ja.
Kryetari aktual i Prishtinës arriti të fitoi 46,935 ose 2 mijë e 809 vota më shumë se kandidati i VV-së, Hajrulla Çeku.
“Më lejoni që para jush dhe në emër të jush të shpallim në sheshin më të mirë të Republikës, sheshin Ibrahim Rugova fitoren më të madhe. në Prishtinë, fitoren e Përparim Ramës”, deklaroi Lumir Abdixhiku, kreu i LDK.
“I kërkojë edhe kundër kandidatit tim që të reflektojë, që të bashkëpunojë sepse është për të mirën e gjithë fëmijëve dhe fëmijëve të mi. E thërras qeverinë e tashme në detyrë dhe çfarëdo qeverie që do të vie në të ardhmen, që të jetë bashkëpunues me kryeqytetin, sepse kryeqyteti është motori ekonomik i zhvillimit të të gjithë Kosovës”, deklaroi Përparim Rama.
Festën LDK-ja e vazhdoi në shesin e kryeqytetit. E qytetarët që dolën për të festuar, thanë se presin më shumë punë në katër vitet e ardhshme.
“Mandatin e ri presim më shumë punë edhe e me shumë sinqeritet dhe presim angazhim më të madh për qytetarët”.
“Jam ardh enkas prej Zvicre me votu Përparim Ramën, e kam besimin e plote lum prishtina që e ka është një njeri që mund të drejtoj problemet e pushimit e mendoj që në mandatine dytë i kryen”.
Ramën e uroi edhe kundërkandidati i tij, Çeku, derisa shkroi në Facebook për humbjen në Prishtinë.
“Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi. Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”, ka deklaruar Çeku.
Prishtina ishte një nga qytetet me pjesëmarrjen më të lartë në votime, ku këtë të drejtë e shfrytëzuan 41,26 për qind e qytetarëve, megjithatë ishin rreth 15 mijë votues më pak se në rundin e parë.