Përplasje të dhunshme në Iran mes protestuesve dhe forcave të sigurisë

Përplasje të dhunshme mes protestuesve antiqeveritarë dhe forcave të sigurisë janë shënuar të mërkurën në disa zona të Iranit, ndërsa vala e protestave e nxitur nga kriza e thellë ekonomike ka hyrë në ditën e 11-të.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Fars, e afërt me Gardën Revolucionare, ka raportuar se dy policë janë qëlluar për vdekje nga persona të armatosur në qytetin Lordegan, në jugperëndim të vendit, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë përballje të tensionuara mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, ndërsa në prapavijë dëgjohen të shtëna me armë zjarri.

Pamje nga disa zona të tjera tregojnë forcat e sigurisë duke qëlluar me armë dhe duke përdorur gaz lotsjellës kundër turmave të protestuesve, disa prej të cilëve shihen duke hedhur gurë.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, protestat janë përhapur tashmë në 111 qytete dhe qyteza në të gjitha 31 provincat e Iranit.

HRANA raporton se të paktën 34 protestues dhe katër pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë humbur jetën gjatë trazirave, ndërsa rreth 2,200 protestues janë arrestuar. BBC Persian ka konfirmuar vdekjen dhe identitetin e 21 personave, ndërkohë që autoritetet iraniane kanë raportuar për pesë pjesëtarë të forcave të sigurisë të vrarë.

Protestat nisën më 28 dhjetor, kur tregtarë në kryeqytetin Teheran dolën në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre pas një tjetër rënieje të ndjeshme të vlerës së monedhës kombëtare, rialit, kundrejt dollarit amerikan në tregun e lirë.

Riali ka arritur nivelin më të ulët historik gjatë vitit të fundit, ndërsa inflacioni është rritur në rreth 40 për qind, si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare lidhur me programin bërthamor të Iranit, por edhe për shkak të keqmenaxhimit dhe korrupsionit qeveritar.

Së shpejti protestave iu bashkuan edhe studentët universitarë, duke u përhapur në qytete të tjera të vendit. Gjatë tubimeve janë dëgjuar shpesh thirrje kundër Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si dhe slogane në mbështetje të Reza Pahlavit, djalit në mërgim të ish-shahut të Iranit.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika